Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot Dashnor Sulën në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot Dashnor Sulën në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi kontributin shumëvjeçar të ish-kryeinspektorit, Hajdari, duke theksuar se reforma në sistemin e inspektimeve është një proces i nisur prej vitesh, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re zbatimi, pas miratimit të ligjit të ri “Për inspektimet”.
“Vjen me një karrierë shumë të gjatë qoftë administrative dhe politike. Ka një ndjeshmëri të madhe në gjithë raportin që shteti duhet të ketë me biznesin”, tha ajo.
Nga ana e tij, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, vlerësoi besimin e dhënë dhe theksoi se përkushtimi, integriteti dhe drejtësia do të jenë parimet udhëheqëse të punës së tij. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të biznesit të ndershëm, forcimit të sistemeve dhe bashkëpunimit institucional për të garantuar një sistem inspektimesh të drejtë, transparent dhe efektiv.
Ai u shpreh se objektivi i punës së tij do të jetë përmbushja e saj në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit. Përballë tij përveç ministres Ibrahimaj, në sallë ishte edhe ish-deputetja Blerina Gjylameti, me të cilën ai është përballu disa herë në kuvend kur mbanin të njëjtat detyra. Gjithsesi, Sula tha se nuk e kanë parë asnjë herë njëri-tjetrin si armiq, por kanë punuar për të çuar përpara vendin.
“Pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kelegen Gjylameti apo kryeministrin Edi Rama kemi qenë përballë njëri tjetrit sepse kështu funksionon demokracia, një palë është në mazhorancë, një palë tjetër në opozitë, por kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar për të çuar përpara Shqipërinë. Për mua kjo është një dorashkë e hedhur nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. Nuk është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, tha Sula.
Sula u emrëua në këtë detyrë më 6 shkurt. Kjo lëvizje e tij është konsideruar si “tradhti e lartë” nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjenet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë ju se ç’mollë e kalbur ka qenë ai”, tha Berisha.
Sjellim ndërmend se Dashnor Sula, në seancën e datës 2 korrik 2025, mbajti fjalimin e tij të fundit si deputet, pasi ai nuk ishte pjesë e listave të PD-së në zgjedhjet e 11 Majit.
Atë ditë, Sula tha se ndihet krenar me veten që po del nga Kuvendi jo si një hipokrit, servil apo lëpirës.







