Sipas FSHU grupet e kontrollit po veprojnë mbi bazën e një plani pune të miratuar paraprakisht, duke verifikuar kontratat sipas kabinës së furnizimit
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) ka nisur një proces verifikimi në terren të kontratave të energjisë elektrike, me fokus të veçantë bizneset, me synim vendosjen në regjim të rregullt tarifimi sipas kategorisë së konsumit.
Sipas FSHU grupet e kontrollit po veprojnë mbi bazën e një plani pune të miratuar paraprakisht, duke verifikuar kontratat sipas kabinës së furnizimit. “Po kontrollojmë kontratat familjare që faturohen me 8.5–9.5 lekë/kWh dhe ato të biznesit që duhet të faturohen me 14 lekë/kWh,” tha administratori i FSHU Algert Luzi në një intervistë për “Monitor”.
Kompania nënvizoi se verifikimi përqendrohet në ambientet e vendosura në katet e sipërme të ndërtesave shumëkatëshe por edhe në njësi private të vetme ku shtrohet aktivitet ekonomik, por që vijojnë të faturohen si familjare.
Grupet në terren verifikojnë një nga një katet, dhe njësitë private të banesave bazuar në tabelat identifikuese, të dhënat e afishuara dhe indicie konkrete. Kur konstatohet se një ambient ushtron aktivitet biznesi, por ka kontratë familjare, subjektit i lihet njoftim për të bërë përditësimin brenda 7 ditëve.
“Verifikimi që po kryejmë është verifikim në terren, për të konstatuar vetëm ato ambiente që kanë elementë të qartë biznesi dhe ushtrojnë aktivitet ekonomik. Përdorimi i të dhënave shtesë bëhet vetëm në raste shumë specifike, kur na nevojitet të plotësojmë informacionin e konstatuar.
Në çdo rast, theksojmë profesionistët e lirë ose ata që punojnë nga shtëpia nuk preken nga ky proces verifikimi. Nëse aktiviteti ushtrohet nga banesa, kontrata mbetet familjare. Nëse banesa është kthyer tërësisht në zyrë dhe nuk shërben më për banim, atëherë kontrata ndryshon dhe kalon në biznes” sqaroi administratori i FSHU.
Procesi ka nisur nga Tirana dhe do të shtrihet gradualisht në të gjithë vendin, pa një afat të përcaktuar për përfundimin. FSHU bën me dije se nëse pas afatit 7-ditor subjekti nuk kryen përditësimin, kontrata do të rikategorizohet automatikisht dhe do të faturohet sipas tarifës për bizneset.







