Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë. Ajo të mërkurën mori 66 vota për, ndërsa 44 ishin kundër. 8 abstenuan.
Për dallim që tash bëhet kryeparlamentare në tentimin e parë, në legjislaturën e nëntë ajo nuk arriti të merrte shumicën në disa tentime.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albulena Haxhiu ishte gruaja më e votuara për deputete. Ajo mori më shumë se 174 mijë vota.
Para se të bëhet kryetare e Kuvendit, Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë për katër vjet.
Kryeparlamentarja e re e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se besimin për ta marrë këtë post do ta kthejë me punë të përditshme, transparencë e përkushtim të plotë.
Ajo në fjalimin pas marrjes së postit ka thënë se do të përpiqet që secili deputet ta gjejë hapësirën e vet me të njëjtin dinjitet e respekt.
“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do jetë që Kuvendi të funksionoj me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare. Do përpiqem që secili prej jush ta gjej hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe respekt, ngase një Kuvend funksional është parakusht për shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, ka thënë ajo.
Biografia e kryetares së re të Kuvendit
Albulena Haxhiu ka lindur në Prishtinë, më 11 maj 1987, ku edhe jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.
Ajo përfundoi studimet në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, në të drejtën penale.
Aktivitetin e saj politik e ka filluar në shtator të vitit 2010, duke u anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Më 2013, ajo u bë deputete në radhët e VV-së. Haxhiu arriti të rizgjedhej deputete edhe në legjislaturat pasuese.
Në legjislaturën e pestë dhe të gjashtë, ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion, dhe nënkomisionin për mandate, imunitete dhe rregullore të Kuvendit.
Në zgjedhjet e vitit 2019, VV-ja fitoi zgjedhjet parlamentare, me ç’rast në Qeverinë Kurti I, Albulena Haxhiu u emërua ministre e Drejtësisë.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Haxhiu u emërua sërish ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti II. Pozitën e mbajti deri në shkurt 2025, kur u zgjodh deputete dhe u propozua për kryeparlamentare.







