Yield-et e bonove 12-mujore ngelën në nivele të ulëta edhe në ankandin e parë të muajit shkurt. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar rezultoi në nivelin 2.42%, nga 2.4% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Rritja, gjithsesi shumë e vogël e yield-eve, duket se erdhi nga një frenim i kërkesës së tregut, krahasuar me ankandet e mëparshme.
Nga 11 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand ishte lehtësisht më e ulët, në 10.82 miliardë lekë. Pavarësisht mosplotësimit të shumës, rrija e yield-it ishte shumë e vogël dhe duket se për momentin tendencat e tregut duken për ruajtjen e niveleve të ulëta të tyre.
Bonot 12-mujore janë edhe instrumenti kryesor referues për përcaktimin e interesave të kredisë afatgjatë për sektorin privat. Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore reflektohen në norma më të ulëta për kreditë interesa të ndryshueshme. Normat e ulëta të interesit vazhdojnë të favorizojnë rritjen me ritme të larta të kredisë për ekonominë, veçanërisht në monedhën vendase.
Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024, duke shënuar rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit.
Deri tani, as rritja sezonale e kërkesës për financim nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar nuk ka sjellë presione të mirëfillta për rritjen e yield-eve të titujve qeveritarë. Tremujori i parë i vitit ka edhe përqendrimin më të larta të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar, me afërsisht 35% të vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara në tregun e brendshëm.
Në analizën e fundit për ecurinë e normave të interesit në Shqipëri, Raiffeisen Research vlerësonte se tregu i brendshëm financiar ngelet relativisht i dobëta dhe i pazhvilluar, me pjesëmarrje të kufizuar përtej bankave, disa fondeve të investimeve dhe vetëm kohët e fundit një numër të vogël investitorësh ndërkombëtarë, që po testojnë tregun me shuma ende modeste.
Sipas Raiffeisen Research, dominimi i bankave në tregun e titujve qeveritarë bëjnë që ndryshimet në preferencat e tyre të likuiditetit dhe oreksi për rrezik ndikojnë shumë në ecurinë e yield-eve. Aktiviteti i kufizuar i fondeve të pensioneve dhe një prani ende në zhvillim e sipër e investitorëve ndërkombëtarë do të thotë se tregu është më i ndjeshëm ndaj cikleve të likuiditetit vendas. Hyrja e fundit e investitorëve ndërkombëtarë, duke rritur me kujdes ekspozimin, ka shtuar disa dinamika të reja, por ende nuk i ka stabilizuar plotësisht tendencat e yield-eve./ Monitor

Burimi: BSH







