nga Namir Lapardhaja
Protesta e thirrur nga Sali Berisha nuk solli asnjë të re. E varfër në skenografi, e pakët në numër, përsëritëse në aksion dhe mesazhe.
Nga fillimi në fund përsëritje e një proteste më parë, madje u duk se e gjithë protesta bëhet për ato pamjet e fundit të Berishës në mbyllje që, teksa mban flamurin në dorë, kamera fokusohet te fishekzjarret dhe molotovët që hidhen në drejtim të kryeministrisë.
Për nga vizualiteti, ajo është pamja më e gjetur, e cila duke filluar nga sot do të bëjë xhiron në të gjithë mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. Sepse Berishës vetëm kjo i duhet: t’i tregojë botës që këtu diçka po zien. Por ndërkohë dhe bota e kupton se teksa protestohet pa viktima, demokracia funksionon.
Paradoksi është se vërtet në Shqipëri ka qindra arsye për të protestuar, por kauzën dhe opozitën e ka marrë peng një individ për hallet e tij. Njerëzit e kuptojnë, ndaj edhe nuk ngrihen dhe t’i bashkohen opozitës. Më e pakta, janë indiferent.
Nejse, le t’i kthehemi kilometrit të fundit. E përsëriti sërish edhe sot. “Jemi në kilometrin e fundit- jemi në momentin më kritik të 35 viteve të fundit.” E teksa thoshte këto, shtoi se‘opozita nuk fiton dot kurrë me Edi Ramën’. E tha kështu në mënyre literale! S’ka mesazh më disfatist. E kanë hyjnizuar Ramën dhe pastaj gënjejnë mbështetësit ejani se do ta rrëzojmë me protestë paqësore. Ndani mendje: E mundni dot apo jo Edi Ramën?!
E teksa shoh këtë përsëritje sizifiane të protestave dhe retorikës së Berishës, ndër mend më vjen Nastradin hoxha, i cili i mblidhte një më dy burrat e fshatit dhe i pyeste në e dinin përse i kishte mbledhur dhe thirrur. Kur i thoshin ‘jo’, i thoshte: ‘Kur nuk e dini, pse vini’; e kur i thoshin ‘po’, ua kthente: ‘Epo kur e dini, pse duhet të vini!’ E përsëriste aq shpesh saqë në një moment vendosën që kur t’i thërriste sërish, disa t’i thoshin ‘po’ dhe disa të tjerë ‘jo’. Dhe ndërsa vepruan ashtu, Nastradini ia ktheu: “Shumë mirë! Ata që e dinë t’ua thonë atyre që s’e dinë, ndërsa ata që s’e dinë ta mësojnë prej atyre që e dinë!”
Edhe kjo puna e protestës së Berishës, e kilometrit të fundit dhe e pamundësisë së fitores përballë Edi Ramës edhe pas kilometrit të parafundit: Ata që e dinë t’ua thonë atyre që s’e dinë, ndërsa ata që s’e dinë ta mësojnë nga ata që e dinë.







