Menjëherë pasi KQZ certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thirri të mërkurën në mesditë seancën konstituive të Kuvendit.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”- thuhet në njoftim të Presidencës.
Të hënën, me 11 vota pro, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë certifikuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja. Rezultatet u certifikuan për 24 subjekte politike, përfshirë edhe Listën Serbe. Votë pro dhanë edhe dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Sami Kurteshi, përmendi Listën Serbe dhe rezervat që partia e tij ka ndaj subjektit që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë. Qëndrim të ngjashëm adresoi edhe Arianit Elshani nga PDK. Sipas rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve të parakohshme, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me mbi 51 për qind të votave duke siguruar 57 deputetë në Kuvend.
E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave dhe e përkthyer në mandate janë 22 deputetë, kjo parti u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.24 për qind apo 15 deputetë, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 5.50 për qind të votave ose 6 mandate deputetësh.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë deputetë i fitoi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiç. Ndërkaq, minoritetet jo serbe fituan 10 mandate deputetësh.







