HomeEkonomiNgecja e kreditimit për bujqësinë, skema e garancisë sovrane mund të rishikohet....

Ngecja e kreditimit për bujqësinë, skema e garancisë sovrane mund të rishikohet. Ministria e Financave organizon një takim me Bankat tregtare

Advertismentspot_img

Ministria e Financave organizoi një takim të zgjeruar në nivel të lartë institucional, në vijim të dialogut të vazhdueshëm mbi përdorimin e Skemës së Garancisë Sovrane të Qeverisë Shqiptare dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro,të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM) nga sektori bankar.

Takimi u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, si dhe Drejtorëve të Përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në vend dhe përfaqësuesve nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i progresit të deritanishëm në zbatimin e instrumenteve të financimit, identifikimi i çështjeve që ndikojnë në transmetimin efektiv të kreditimit drejt ekonomisë reale, si dhe adresimi i sfidave të evidentuara nga sektori bankar dhe subjektet përfituese. Ndër të tjera, takimi synoi gjithashtu edhe përcaktimin e masave konkrete për përmirësimin e aksesit në financim për fermerët, ndërmarrjet bujqësore dhe bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, në përputhje me parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetit financiar.

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, theksoi se sektori bujqësor mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë së Shqipërisë. Me afrimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në tregun e përbashkët evropian është e nevojshme që biznesi shqiptar të përmirësojë produktiviteti dhe të rrisë vlerën e shtuar përgjatë të gjithë zinxhirit prodhues. Si rrjedhojë, Skema e Garancisë Sovrane duhet parë si një mundësi që përshpejton pikërisht këtë proces sa jetik aq edhe imediat.

Ndërkohë, Qeveria do vazhdojë të mbështesë sektorin edhe nëpërmjet kanaleve të tjera, duke synuar përthithjen e investimeve të mëtejshme e duke siguruar kështu sektorin bankar për rentabilitetin afatgjatë të sektorit. Nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale si dhe rifillimin e IPARD III, sektori do vazhdojë të jetë në vëmendjen e politikave qeveritare përgjatë gjithë mandatit.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, duke vlerësuar angazhimin e Bankës së Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes Kuadër për zbatimin e Skemës së Garancisë Sovrane, theksoi rolin e institucionit në mbështetjen e kësaj nisme, në përputhje me objektivat më të gjera të politikave të sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ai nënvizoi se Skema është konceptuar si një instrument plotësues, që kontribuon në përmirësimin e transmetimit të kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.

Guvernatori evidentoi gjithashtu disa vëzhgime mbi zbatimin e Skemës, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani, si dhe duke theksuar nevojën për adresimin e disa çështjeve operacionale, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përthithjes së saj. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike, sektorit bankar dhe institucioneve të tjera të përfshira, për të siguruar që Skema të vijojë të jetë në linjë me objektivat strategjikë të politikave financiare dhe të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të kreditimit.

Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, u shpreh se Skema e Garancisë ka filluar të shfaqë efektet pas një periudhe ku fermerët kishin nevojë të njiheshin me të. Rritja e interesit dhe e aplikimeve nga fermerë apo biznese agro-përpunuese tregon qoftë nevojën që ka sektori për financim, po aq edhe potencial afatgjatë që sipërmarrësit shohin.

MBZHR dhe agjencitë e saj të varësisë do vazhdojnë të bashkëpunojnë me fermerët për informimin e tyre dhe për t’i asistuar ata përgjatë procesit të aplikimit. Rritja e këtij bashkëpunimi trepalësh mes agjencive publike, bankave dhe fermerëve po krijon mundësi për të njohur dhe hulumtuar më tej potencialin zhvillimor të sektorit.

Drejtuesit e sektorit bankar ndanë përshtypjet e tyre për ecurinë e dy skemave. Ata ranë dakord që pas një periudhe njohje, për sipërmarrësit dhe për bankat, muajt e fundit kanë treguar një gjallërim të skemës. Për më tepër, sipas të dhënave të brendshme, bankat konfirmojnë se një sërë aplikimesh të tjera janë aktualisht në proces vlerësimi.

Nga ana e sektorit bankar u ofruan disa opinione mbi ndërhyrje të ndryshme që mund të ndërmerren në të ardhmen me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të skemave. Ministrat dhe Guvernatori u angazhuan për vlerësim serioz të këtyre opinioneve dhe vazhdimin e diskutimit në takimet e ardhshme.

Pjesëmarrësit u bënë thirrje bankave që të intensifikojnë përpjekjet për orientimin e fermerëve drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit dhe investimit në sektorin bujqësor. Në këtë kontekst, autoritetet publike bëjnë thirrje që bizneset dhe fermerët të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit, duke përfituar nga programet dhe skemat ekzistuese, për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Institucionet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm, në funksion të rritjes së aksesit në financim, nxitjes së investimeve dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik, me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Skema e Garancisë sovrane për bujqësinë, për herë të parë, mbështet drejtpërdrejt fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor dhe agropërpunues, me një fond prej 3 miliardë lekësh (30 milionë euro).

Garancia Sovrane mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë, me normë interesi të kufizuar në 2%, periudhë grace minimale 12 muaj dhe pa penalitete për shlyerje të parakohshme.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular