Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën kombëtare të Partisë Demokratike ditën e djeshme, 10 shkurt, para kryeministrisë.
Rama ka publikuar edhe foto të disa bombave artizanale, që sipas tij dhe policisë, janë hedhur në tubim nga ana e protestuesve drejt godinave qeveritare dhe efektivëve.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar PD-në si partinë e vetme në botën demokratike që ushtron dhunë në protesta, dhe që sipas tij “i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!”
Më tej, Rama shton se fati politik i PD-së do të shkruhet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku sipas tij, demokratët do të përballen me një disfatë edhe më shembullore se sa të mëparshmet.
“Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan ai.
Rama: Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!
Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!
Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺








