Botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e cila kishte paralajmëruar për rreziqe kushtetuese dhe cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Një nga pikat më të debatueshme është shtimi i nenit 170/3, i cili lejon që kryetarët në detyrë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe administrative, si dhe si dhe drejtues të prokurorive pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm të shkallës së parë dhe të prokurorive pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm të apelit, të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, por jo më vonë se fundi i vitit 2027 (drafti fillestar parashikonte qëndrimin në detyrë deri në dhjetor 2028), duke shmangur përkohësisht garën për këto poste.
Në reagimin e saj publik, më herët këtë vit, Shoqata e Gjyqtarëve ka theksuar se kjo dispozitë cenon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor për emërimet dhe ngritjet në detyrë, duke krijuar precedent për ndërhyrje të pushtetit legjislativ në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Sipas shoqatës, ligji krijon trajtim të pabarabartë mes gjykatave të zakonshme dhe atyre të posaçme, ndërkohë që nuk merr parasysh faktin se KLGJ-ja ka miratuar tashmë procedurat për zgjedhjen e kryetarëve, të cilat kanë hyrë në fuqi në janar 2026. Gjithashtu, ajo vlerëson se zgjidhja e miratuar është e panevojshme, pasi për vite me radhë drejtimi i gjykatave është ushtruar nga zëvendëskryetarët, pa krijuar vakum institucional.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, Kuvendi vendosi të ecë përpara me ndryshimet, duke hapur një debat të ri mbi balancën mes reformës në drejtësi, ndarjes së pushteteve dhe garantimit të pavarësisë së gjyqësorit.
Ndryshimet e tjera ligjore synonjnë të forcojnë ndjeshëm kuadrin e kontrollit të integritetit të magjistratëve, duke qartësuar dhe zgjeruar përkufizimet kryesore. “Pasuria” tashmë përfshin çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, brenda dhe jashtë vendit, që është në pronësi, posedim apo përdorim të magjistratit, duke shmangur fshehjen pas formave formale të pronësisë. Njëkohësisht, ligji zgjeron rrethin e “personave të lidhur”, duke përfshirë jo vetëm familjarët e afërt, por edhe të afërmit deri në shkallë të dytë, bashkëpunëtorët dhe subjektet me interesa të përbashkëta private, çka forcon parandalimin e konfliktit të interesit.
Po kështu, sa i përket pastërtisë së figurës së magjistratit, përkufizimi i ligjor, “person i përfshirë në krimin e organizuar” konsiderohet çdo individ që është dënuar ose ka qenë objekt procedimi penal, brenda ose jashtë vendit, për veprat penale të parashikuara në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, me përjashtim të rasteve kur është shpallur i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ky status zbatohet edhe në situata kur procedimi penal është pushuar për shkak të vdekjes së personit ose pamundësisë për ta ndjekur penalisht, si dhe kur një person shpallet i pafajshëm jo për mungesë fakti, por sepse vepra është kryer nga një autor që nuk mund të akuzohet ose dënohet.
Ky përkufizim synon të forcojë filtrat e integritetit dhe të parandalojë çdo lidhje të mundshme të magjistratëve me elementë të krimit të organizuar.
Në këtë kuadër, ligji e bën më gjithëpërfshirës procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës, duke përfshirë kontrollin e burimit të të ardhurave, interesave private, kontakteve të papërshtatshme dhe sjelljeve etike që mund të cenojnë besimin publik.
Njëkohësisht, ndryshimet parashikojnë akses të plotë të Këshillave në bazat e të dhënave, por duke vendosur kufizime të qarta për publikimin e informacionit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht të dhëna sensitive.
Sa i përket drejtimit të institucioneve dhe karrierës së magjistratëve, ligji sjell disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me rregullimin e mëparshëm.
Më herët, kryetarët e gjykatave dhe drejtuesit e prokurorive me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm kishin mandate trevjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje një herë, dhe riemërimi kushtëzohej nga kalimi me sukses i verifikimit dhe nga vlerësimi minimal “shumë mirë”.
Me ndryshimet e reja, shtohet e drejta e Prokurorit të Përgjithshëm për të dhënë një opinion të arsyetuar, të bazuar në fakte, për kandidatët për drejtues të prokurorive, opinion që merret në konsideratë në procesin e riemërimit. Kjo rrit peshën e vlerësimit institucional në vendimmarrje.
Ndryshime të tjera lidhen me komandimin e magjistratëve në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, periudha për të cilët nuk mund të jetë më shumë se dhjetë vjet. Ndryshimet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./







