Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat dhe kriteret rigoroze që duhet të plotësojnë institutet kërkimore në Shqipëri për të marrë titullin “Qendër Ekselence”. Vendimi synon të klasifikojë elitat e kërkimit shkencor, duke i ndarë ato në bazë të rezultateve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Statusi, i përkohshëm vs. i përhershëm
Sipas vendimit të ri, statusi “Qendër Ekselence” do të ndahet në dy kategori. Status 5-vjeçar (me rinovim), për institucionet që kanë rezultate të spikatura në nivel kombëtar. Status i përhershëm, për ato institucione që kanë rezultate ndërkombëtare dhe janë pjesë e projekteve globale me kohëzgjatje jo më pak se 3 vjet.
Patenta dhe fonde nga BE
Për të fituar këtë status, institutet nuk mjafton të ekzistojnë në letër. Qeveria ka vendosur kushte specifike që lidhen me prodhimin shkencor dhe inovacionin. Duhet të ketë të paktën 3 artikuj shkencorë në vit në revista ndërkombëtare ose kombëtare (Kategoria A/B) dhe se instituti duhet të ketë të paktën 1 projekt aktiv të financuar nga Bashkimi Evropian dhe 3 projekte kombëtare.
Kriteri më sfidues është ai i ndikimit në shoqëri; institucioni duhet të ketë të paktën 1 patentë ose një marrëveshje me industrinë për një produkt inovativ.
Infrastruktura dhe aplikimi
Institucionet kërkuese duhet të kenë biblioteka (fizike ose digjitale), laboratorë të hapur dhe të botojnë një revistë shkencore të kategorisë A.
Aplikimet do të bëhen përmes portalit e-Albania (në Sistemin ACRIS), por deri në funksionalizimin e plotë të sistemit digjital, ato do të pranohen fizikisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Një komision i posaçëm me 5 anëtarë (përfshirë ekspertë të pavarur) do të vlerësojë dosjet.







