HomeAktualitetFund “konsultimeve fiktive”? Projektvendimi i ri që kërkon t’i japë zë qytetarëve...

Fund “konsultimeve fiktive”? Projektvendimi i ri që kërkon t’i japë zë qytetarëve në vendimmarrjen mjedisore

Advertismentspot_img

Prej vitesh, organizatat mjedisore dhe banorët e zonave rurale kanë ngritur shqetësimin se projektet me ndikim në mjedis – nga hidrocentralet e deri te guroret – miratohen pa i pyetur ata realisht. Shpesh, “konsultimi publik” reduktohej në një njoftim të fshehur në ndonjë faqe interneti, duke e kthyer procesin në një formalitet burokratik.

Por, një projektvendim i ri i hedhur për konsultim nga qeveria, i titulluar “Për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje për mjedisin”, synon ta ndryshojë rrënjësisht këtë praktikë. Dokumenti premton të vendosë standarde të reja, detyruese, duke harmonizuar legjislacionin shqiptar me Direktivat e Bashkimit Evropian dhe Konventën e Aarhusit.

Nga “online” në terren

Një nga pranimet më të rëndësishme në relacionin e projektaktit është fakti se konsultimi vetëm elektronik ka dështuar të jetë gjithëpërfshirës.

“Mbështetja pothuajse ekskluzive në konsultimin elektronik përjashton në mënyrë faktike individë dhe grupe që nuk kanë akses të rregullt në internet,” thuhet në relacion.

Për ta zgjidhur këtë, projektvendimi prezanton modelin hibrid. Tashmë, institucionet nuk do të mjaftohen vetëm me Regjistrin Elektronik të Konsultimit Publik. Ato do të jenë të detyruara të organizojnë takime të drejtpërdrejta fizike me komunitetin.

Kjo është një kthesë e rëndësishme për banorët e zonave të thella, të cilët shpesh janë më të prekurit nga ndërhyrjet mjedisore, por kanë më pak akses në teknologji.

Jo më “fakt i kryer”

Një tjetër risi është koha e konsultimit. Projektakti sanksionon se publiku duhet të përfshihet në fazat e hershme të hartimit të strategjive, planeve apo ligjeve, dhe jo kur vendimi është marrë faktikisht.

Kjo synon të shmangë situatat ku dëgjesat publike bëhen thjesht për të plotësuar dosjen, në një kohë kur kontratat mund të jenë firmosur apo ligjet të jenë draftuar plotësisht.

Transparenca është një tjetër kolonë e këtij projektvendimi. Institucionet nuk do të mund t’i injorojnë më komentet e qytetarëve apo grupeve të interesit.

Akti parashikon detyrimin për të arsyetuar vendimet. Nëse një sugjerim nga publiku nuk merret parasysh, institucioni duhet të shpjegojë zyrtarisht dhe me argumente se pse u refuzua. Kjo pritet të rrisë cilësinë e akteve ligjore dhe të ulë numrin e konflikteve që përfundojnë në Gjykatat Administrative.

Pavlefshmëria e akteve

Pika më e fortë e këtij projektvendimi qëndron te sanksionet procedurale. Sipas draftit, mosrespektimi i procedurave të pjesëmarrjes së publikut mund të përbëjë shkak për pavlefshmëri procedurale të aktit normativ.

Kjo i jep një armë të fortë ligjore shoqërisë civile: nëse qeveria ose bashkitë miratojnë plane mjedisore pa pyetur qytetarët sipas këtij standardi të ri, ato plane mund të rrëzohen në gjykatë vetëm për shkak të shkeljes së procedurës.

Miratimi i këtij akti pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt “demokracisë mjedisore”, duke e kthyer qytetarin nga një spektator, në një aktor kyç për mbrojtjen e mjedisit ku jeton. Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular