HomeAktualitetHyn në fuqi ligji i ri kundër dhunës ndaj grave dhe në...

Hyn në fuqi ligji i ri kundër dhunës ndaj grave dhe në familje, goditet rëndë shantazhi online, mbrojtje e fortë për gratë në politikë

Advertismentspot_img

Njëzet vjet pas miratimit të ligjit të parë për dhunën në familje, në Shqipëri ka hyrë në fuqi zyrtarisht ligji i ri për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna. Me dekretimin nga Presidenti të Ligjit Nr. 11/2026, shteti ka shfuqizuar kuadrin e vjetër dhe vendos rregulla të forta në mbrojtje të grave dhe vajzave, që shtrihen nga muret e shtëpisë deri në ekranet e telefonave inteligjentë.

Ligji i ri, “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili ka hyrë të enjten zyrtarisht në fuqi njeh për herë të parë konceptet e “dhunës digjitale” dhe “dhunës në politikë”, duke i dhënë policisë dhe gjykatave instrumente të menjëhershme veprimi.

Lufta spostohet online, gjoba të rënda për platformat

Risia më e madhe e ligjit është njohja e “dhunës së lehtësuar nga teknologjia”. Shpërndarja e imazheve intime pa pëlqim, përndjekja përmes GPS, apo gjuha e urrejtjes online, tashmë janë vepra të sanksionueshme rëndë.

Ligji i jep fuqi Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të veprojë si gardian digjital. Nëse një gjykatë urdhëron heqjen e një materiali denigrues dhe platformat online (si rrjetet sociale) nuk e heqin atë brenda 24 orëve (ose 12 orëve për dhunën në politikë), AKEP mund të vendosë gjoba administrative që variojnë nga 50.000 deri në 500.000 lekë për çdo ditë vonesë.

Kjo masë synon të ndalojë fenomenin shkatërrues të shantazhit online dhe bullizimit kibernetik që shpesh ka çuar në pasoja fatale.

Policia me kompetenca të shtuara

Deri më sot, procesi i urdhrave të mbrojtjes kërkonte kohë gjyqësore. Me ligjin e ri, forcohet Urdhri për Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme (UMPMM).

Strukturat e Policisë së Shtetit marrin kompetencën të urdhërojnë menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa në momentin e konstatimit të rrezikut, pa pritur vendimin e gjykatës (i cili duhet të konfirmohet brenda 48 orëve). Gjithashtu, ligji sanksionon se “ndalohet çdo procedurë ndërmjetësimi apo pajtimi” mes viktimës dhe dhunuesit.

Mburojë për gratë në politikë

Për herë të parë, legjislacioni shqiptar njeh specifikisht “dhunën ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë”. Pengimi i grave për të kandiduar, bullizimi i tyre gjatë fushatave, apo presioni për votën, tashmë përbëjnë bazë për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Po ashtu, ngacmimi seksual në vendin e punës merr një trajtim të detajuar, duke detyruar punëdhënësit të krijojnë mekanizma të brendshëm ankimimi. Inspektorati i Punës do të ketë tagrin të gjobisë bizneset që injorojnë këto raste.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular