Policia belge ka kryer kontrolle mëngjesin e së enjtes në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel, në kuadër të një hetimi për parregullsi të mundshme në shitjen e pasurive të paluajtshme të Bashkimit Evropian.
Sipas “Financial Times”, kontrollet u zhvilluan në disa ndërtesa të Komisionit, përfshirë edhe departamentin e buxhetit, dhe lidhen me shitje pronash të BE-së të realizuara gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur komisioner për Buxhetin ishte Johannes Hahn.
Hahn ishte përgjegjës për menaxhimin e buxhetit evropian prej 1 trilion eurosh deri në vitin 2024 dhe, pas përfundimit të mandatit, u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për Qipron.
Hetimi po kryhet nga Prokuroria Publike Evropiane dhe ka të bëjë me 23 ndërtesa të blera në vitin 2024 nga fondi shtetëror belg i investimeve SFPIM për 900 milionë euro. Në kohën e marrëveshjes, Komisioni Evropian kishte deklaruar se procesi i shitjes ishte realizuar përmes një procedure tenderimi dhe në përputhje me rregulloren financiare të BE-së.
Zëdhënësja e Prokurorisë Publike Evropiane, Tine Hollevoet, konfirmoi se “po zhvillohen veprime për mbledhjen e provave në kuadër të një hetimi në vazhdim”, duke shtuar se “në këtë fazë nuk mund të bëhet publike asgjë më tej, për të mos rrezikuar procesin dhe rezultatin e tij”.
OLAF, zyra evropiane kundër mashtrimit, refuzoi të komentojë, njësoj si edhe policia federale belge. Ndërkohë, Komisioni Evropian, SFPIM dhe Johannes Hahn nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan “Financial Times”.







