Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, mori pjesë në Munich Security Conference, ku ngriti shqetësimin për gjendjen e sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke e cilësuar atë një sektor strategjik të neglizhuar dhe të keqmenaxhuar.
Gjatë diskutimeve mbi sfidat globale të epokës digjitale, Balliu theksoi se siguria kibernetike është shtyllë e sigurisë kombëtare dhe sovranitetit të vendit. Sipas tij, mungesa e profesionalizmit, konfliktet e interesit dhe investimet e pamjaftueshme e bëjnë Shqipërinë të cenueshme ndaj rreziqeve serioze.
Ai u shpreh se buxheti për këtë sektor mbetet minimal krahasuar me vendet e zhvilluara që investojnë miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të të dhënave shtetërore.
Takime me zyrtarë gjermanë dhe amerikanë
Në Mynih, deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë zhvilloi një takim me Gunther Krichbaum, ku u diskutua lufta reale kundër korrupsionit si kusht thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Balliu theksoi se vetëm përmes respektimit të ndarjes së pushteteve dhe forcimit të institucioneve të pavarura mund të garantohet ecja përpara në rrugën europiane. Ai falënderoi zyrtarin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit.
Po ashtu, ai u takua edhe me Brett Leatherman, Drejtor i Divizionit Kundër Krimit Kibernetik në Federal Bureau of Investigation (FBI). Gjatë bisedës, Balliu ngriti shqetësime për lidhje të dyshuara të elementëve të krimit të organizuar me struktura të sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke përmendur skandalin e AKSHI-t dhe çështje të tenderave publikë.
Sipas tij, kur infrastruktura digjitale bie nën ndikimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, rrezikohen ekonomia, siguria kombëtare dhe proceset demokratike. Ai theksoi se opozita do të vijojë denoncimin e çdo lidhjeje mes krimit dhe politikës, ndërsa mbështeti bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në në luftën kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave.
Në përfundim, Balliu nënvizoi se mbrojtja e hapësirës digjitale duhet të jetë prioritet kombëtar dhe se çdo neglizhencë në këtë drejtim përbën rrezik serioz për të ardhmen e vendit.
Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, është takuar në Mynih dhe me Ushtruesin e Detyrës së Nënsekretarit të Energjisë të SHBA-së, Alexander Fitzsimmons.
Në reagimin e tij, Balliu theksoi se e falënderoi zyrtarin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë. Ai nënvizoi se opozita shqiptare mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lidhjeve të karteleve të drogës me politikën.
Sipas tij, administrata amerikane ka forcuar përpjekjet në luftën globale kundër krimit ndërkombëtar dhe karteleve të drogës, ndërsa bashkëpunimi i fortë ndërkombëtar është thelbësor për garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit ekonomik në rajon.
Në kuadër të qëndrimit në Mynih, zpti Balliu zhvilloi një takim i shkurtër me Catherine De Bolle, Drejtoreshën Ekzekutive të Europol, ku në fokus të bisedës ishin sfidat e sigurisë dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Gjatë takimit u ngritën shqetësime lidhur me veprimtarinë e karteleve të drogës dhe pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, fenomene që po dëmtojnë seriozisht ekonominë. Po ashtu, u diskutua edhe mbi rritjen e kërcënimeve në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndërhyrja e De Bolle në konferencën e sigurisë kibernetike në Mynih u vlerësua si mbresëlënëse, teksa ajo theksoi rëndësinë jetike të forcimit të kapaciteteve në këtë sektor, nevojën për mbështetje më të madhe institucionale dhe bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe faktin se siguria kibernetike është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe ekonomike në kohët moderne.







