Zgjerimi i Bashkimi Europian ishte në qendër të diskutimeve në Munich Security Conference, ku shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi procesin si një “antidotë ndaj imperializmit rus” dhe si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë e kontinentit.
Kallas theksoi se zgjerimi nuk është vetëm çështje teknike, por zgjedhje e qartë gjeopolitike. Ajo nënvizoi se vendet që kanë përmbushur detyrimet, si Shqipëria dhe Mali i Zi, nuk duhet të mbahen në pritje të pafundme. Sipas saj, nëse BE kërkon stabilitet dhe ndikim më të madh në rajon, duhet të marrë vendime më të shpejta politike.
Ndërkohë, nga Talini, komisionerja për zgjerimin Marta Kos vendosi theksin te kushtet e panegociueshme për anëtarësim. Ajo paralajmëroi se nuk do të ketë “rrugë të shkurtra” në negociata dhe se sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten themeli i procesit.
Kos theksoi se vetëm një rrugë e besueshme reformash mund të krijojë besim te shtetet anëtare, të cilat kanë fjalën e fundit në zgjerim. Për këtë arsye, ajo kërkon që traktatet e ardhshme të përmbajnë mekanizma mbrojtës kundër kthimit pas në standardet demokratike.
Në të njëjtën kohë, Brukseli po shtyn përpara konceptin e integrimit gradual, duke përfshirë shtetet kandidate në zona konkrete si SEPA dhe roaming-u i lirë. Sipas sinjaleve të fundit, Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia mund të kenë një perspektivë reale anëtarësimi deri në vitin 2030.
Mes presionit të luftës në Ukrainë dhe sfidave të sigurisë, zgjerimi është rikthyer në krye të axhendës europiane – si instrument stabiliteti, por edhe si test për seriozitetin e reformave në vendet aspirante.







