Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kritikuar nismën ligjore të propozuar këtë të hënë nga Partia Socialiste, që synon zgjidhjen e përplasjes së kompetencave mes pushtetit ligjor dhe atij gjyqësor sa i takon pezullimit dhe shkarkimit të ministrave.
Në një deklarate per mediat nga Prokuroria e Posaçme ku u paraqit sot, Berisha deklaroi se ky projektligj përbën goditjen më të rëndë që i bëhet shqiptarëve.
“Ky është akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Edi Rama guxon të marrë. Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen. U kemi vjedhur dhe do u vjedhim. Ky është morali, e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot. Dhe kjo është goditja më e rëndë që u bëjnë ata aspiratave të qytetarëve shqiptarë.
Kjo është goditja më e rëndë që i bëjnë ata shtetit ligjor, është mbrojtja më e fuqishme ndaj sistemit të korrupsionit që kanë vendosur. Qytetarët duhet ta dinë, pas anulimit me ligj të këtij funksioni të prokurorisë speciale, prokurorëve nuk u mbetet asgjë tjetër përveç imunitetit. Por imuniteti nuk është në dorën e tyre, imuniteti është në dorën e Edi Ramës. Dhe Edi Rama, për ata që bënë ligjin mburojë, imunitete nuk heq. Në këtë rast, unë e paralajmëroj atë se do paguajë çmimin më të shtrenjtë me këtë akt dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti i pafytyrë është ky.”, tha Berisha.
Madje sipas tij, kjo nismë e re ligjore që ndryshon Kodin e Procedurës Penale, prek direkt procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Një gjë do u them shqiptarëve, se me këtë akt, ai i mbyll dyert e integrimit të Shqipërisë në BE dhe krijon fushën më të madhe të mundshme për vjedhjen, plaçkitjen e tyre, varfërimin e mëtejshëm, të tejskajshëm dhe është në dorën e tyre të marrin fatin. Data 20 po vjen, është dita e qytetarëve.”, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se pezullimi nga detyra është një e drejtë ligjore e gjykatave dhe për këtë iu referua qëndrimit të Komisionit të Venecias për një rast në Kosovë.
“Sqaroj edhe njëherë, pezullimi është një e drejtë ligjore. Pezullimin e ka miratuar plotësisht, pas ekspertizës që i ka bërë ligjit të procedurës penale të Kosovës, Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias është shprehur se pezullimi nuk bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe pushteteve. Edi Rama kërkon me çdo kusht të mbrohet nga vjedhjet që ka bërë, bën dhe do të bëjë me amendamentin që dërgoi sot në parlament. Ndaj ja ku jemi në këmbë.”, vazhdoi ai.
Kryedemokrati e mbylli fjalimin e tij duke iu bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në protestën e datës 20 shkurt.







