nga Ermal Peçi
Ka momente në politikë kur kundërshtarët duken si armiq të betuar, por historia tregon se shpesh janë thjesht dy anë të së njëjtës monedhë. Sot, më shumë se kurrë, Edi Rama dhe Sali Berisha po flasin me të njëjtin zë kur vjen fjala tek SPAK.
Sulmet e Ramës ndaj SPAK-ut nuk janë më të nënkuptuara. Sot pamë fytyrën e vërtetë të Edi Ramës kur artikulonte me nerv dhe kërciste dhëmbët kundër SPAK. Fakti që drejtësia ka hyrë në zemër të Kryeministrisë, kur hetimet prekin njerëz të afërt, retorika e tij menjëherë ndryshon. Kryeministri, që dikur e shpallte reformën në drejtësi si triumf personal, sot kërcenon hapur institucionin që lindi pikërisht nga ajo reformë.
Në krahun tjetër, Berisha nuk mbetet pas. Sulmet e tij ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, janë të vazhdueshme, të ashpra, të mbushura me akuza e insinuata. Retorika është e njëjtë: drejtësia qenka e kapur, qenka politike, qenka e komanduar. A thua se të jesh kryeministër apo ish-kryeministër të bën imun nga ligji? A thua se vota është certifikatë pafajësie? A thua se vota justifikon vjedhjen?
Lord Acton do të shkruante se : “Pushteti priret të korruptojë, dhe pushteti absolut korrupton absolutisht.” Kur pushteti ndihet i kërcënuar, ai nuk mbron më parimet, por veten. Pikërisht këtu Rama dhe Berisha takohen. Njëri në zyrë, tjetri në opozitë, por të dy me të njëjtin shqetësim: drejtësinë që nuk kontrollohet. Njëri i frikësuar nga hetimet që afrohen, tjetri nga dosjet që rëndojnë. Lufta ndaj SPAK-ut shndërrohet kështu në një sinkron të pazëshëm mes tyre jo për parime, por për mbijetesë politike.
Ndërkohë, në anën tjetër të këtij realiteti politik, qëndron një figurë që zgjodhi një rrugë tjetër. Lulzim Basha ishte i vetmi politikan i nivelit të lartë që u rreshtua publikisht dhe qartësisht krah SPAK-ut që në ditën e parë. Morri vendime të vështira që rënduan mbi kurrizin e tij për ti dalë përballë një sistemi. Ai shpalli luftë politike jo vetëm Ramës, por edhe Metës e Berishës, duke e vendosur drejtësinë mbi kalkulimin elektoral. Sot ai nuk është më në politikën aktive shqiptare, por ndërkohë ftohet në forume ndërkombëtare si Konferenca e Sigurisë në Mynih, një nga ngjarjet më të rëndësishme të diplomacisë dhe sigurisë globale.
Në arenën ndërkombëtare pesha nuk matet vetëm me mandatin formal, por me besueshmërinë dhe profilin politik. Ftesa në një konferencë të tillë nuk është çështje protokolli, por kredibiliteti. Ajo lidhet me mënyrën se si je perceptuar në raport me demokracinë, sundimin e ligjit dhe qëndrimet strategjike.
Mbështetja e tij e hershme dhe publike për SPAK ka krijuar një profil që jashtë vendit lexohet si qëndrim parimor, pavarësisht kostos politike brenda. Ironia është e fortë dhe e qartë, brenda vendit sulmohet drejtësia; jashtë vendit vlerësohet modeli i politikanit që e mbështeti atë edhe pse sot është pa mandat deputeti dhe është njëri prej nesh.
Aristoteli shkruante se “Ligji duhet të sundojë.” Në Shqipëri, duket se problemi ynë historik në këtë demokraci hibride ka qenë pikërisht ky, pushteti politik ka dashur të sundojë ligjin. Sot SPAK është prova nëse ky cikël do të thyhet apo jo.
Rama dhe Berisha mund të duken si rivalë të përjetshëm, por kur bëhet fjalë për drejtësinë që troket në derë, ata janë në sinkron. Njësoj në nerv, njësoj në sulm, njësoj në frikë.
Në fund, drejtësia ose është për të gjithë, ose nuk është për askënd. Në momentin që pushteti fillon ta trajtojë veten si përjashtim nga ligji, atëherë problemi nuk është më institucional, është moral.







