HomeOP EDTa gëzojnë ambasadorët Rama-Formën në Drejtësi/Nga Faik Frashëri

Ta gëzojnë ambasadorët Rama-Formën në Drejtësi/Nga Faik Frashëri

Advertismentspot_img

Nga Faik Frashëri
Shqipëria ka mbërritur në fazën e asaj shprehjes së famshme: “sa drejt fundit shkon pushteti, aq më të çuditshme i bën ligjet”. Kur pushteti ndjen se terreni politik dhe moral po i rrëshqet nga duart, reagimi i parë nuk është reflektimi, por manipulimi i rregullave të lojës. Dhe pikërisht këtë po shohim sot: një tendencë të hapur për të ripërcaktuar ligjin jo si instrument drejtësie, por si mburojë për individë të caktuar.

Mbrojtja e Belinda Ballukut me një intensitet pothuajse obsesiv nga Kryeministri,  madje më shumë sesa ajo vetë përpiqet të mbrojë pozicionin e saj, ka kaluar kufijtë e solidaritetit politik normal. Ajo është shndërruar në një demonstrim force ndaj institucioneve, ku mesazhi nuk është vetëm mbrojtja e një ministreje, por sinjali i qartë se askush brenda rrethit të pushtetit nuk duhet të preket nga mekanizmat e drejtësisë.

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, të perceptuara si tentativa për të kapsuluar përgjegjësinë penale në nivelet më të larta të qeverisjes, përbëjnë një precedent të rrezikshëm. Në vend që reforma në drejtësi të thellojë llogaridhënien, duket se synimi është krijimi i filtrave proceduralë që mund të ngadalësojnë ose neutralizojnë hetimet ndaj figurave të rëndësishme politike. Kjo jo vetëm që minon besimin publik te drejtësia, por rrezikon të kthejë sistemin ligjor në një mekanizëm selektiv.

Diskursi mbi ndarjen e pushteteve është në kufijtë e tillë të një injorance madhështore, kur pikërisht kjo ndarje në historinë e demokracisë është bërë me qëllim  që ekzekutivi  të mos fusi duart në pushtetet e tjera. Sistemi nuk është konceptuar si ekzistencë paralele si Presidenca e Bosnjës, por bazohet në “pistonat” e check and balance”.

Por ajo që e bën situatën edhe më paradoksale është roli i aktorëve ndërkombëtarë. Përkedhelja diplomatike, shfaqur nëpërmjet mbështetjes publike, pranisë konstante në aktivitete dhe legjitimimit politik të qeverisë përmes deklaratave, ka krijuar perceptimin se reforma në drejtësi është shndërruar në një projekt që duhet të mbijetojë politikisht, edhe kur devijon nga parimet që e justifikuan fillimisht. Kur ambasadorët duken më shumë si garantë të stabilitetit politik sesa të standardeve demokratike, lind pyetja nëse mbështetja ndërkombëtare po interpretohet si kartë e bardhë për çdo vendimmarrje.

Në këtë kontekst, “Rama-Forma në Drejtësi” rrezikon të mbetet vetëm formë, një strukturë institucionale që ekziston në letër, por që në praktikë vuan nga ndërhyrje politike dhe kompromis institucional. SPAK-u, që u konceptua si simbol i një epoke të re të llogaridhënies, përballet me presione të drejtpërdrejta dhe indirekte, ndërsa narrativa publike përpiqet të relativizojë rolin e tij sa herë që hetimet afrohen me nivelet më të larta të pushtetit.

Dhe në këtë rast, nuk është vetëm qeveria që duhet të japë llogari, por edhe ata që, me heshtje apo mbështetje të hapur, kanë kontribuar në krijimin e këtij realiteti. Kartonat jeshilë për miratimin e këtyre ndryshimeve i kanë ngritur me kohë ambasadorët, tanimë u ka ngel veçse të shpëtojnë besimin e tyre para shqiptarëve përmes një mea-culpa.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular