Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (KISh), përmes një letre publike drejtuar meshtarëve por edhe besimtarëve shqiptarë, shpalli Vitin Jubilar Marian.
Ky vendim u mor me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së të Lumes Virgjër Mari, Nëna e Këshillit të Mirë, si Pajtorja e Shqipërisë.
KISh thotë se vendimi vjen në shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit për dhuratat e dhëna Kishës dhe popullit shqiptar. Viti Jubilar Marian do të nisë më 26 prill 2026 dhe do të përfundojë më 26 prill 2027.
Në letrën e KISh shkruhet: “Me zemër falënderuese kujtojmë se, më 26 prill 1896, Kisha njohu zyrtarisht ne fytyrën e ëmbël të Nënës së Këshillit të Mirë një shenjë mbrojtjeje dhe udhërrëfimi për kombin tonë. Në të, ndër shekuj, populli shqiptar ka gjetur ngushëllim në sprova, dritë në vështirësi, shpresë në kohë përndjekjeje dhe forcë në udhën e ringritjes”.
KISh ftoi të gjithë dioqezat, famullitë, bashkësitë rregulltarë dhe lëvizjet kishtare ta jetojnë këtë kohë si rast ripërtëritjeje shpirtërore, kohë pajtimi dhe bashkimi kishtar.
Gjithashtu ftohen dioqezat e famullitë të përgatisin kremtime solemne dhe udhëtime drejt Bazilikës së Nënës së Këshillit të Mirë në Shkodër, si qendër shpirterore dhe vend i privilegjuar shtegtimi.







