HomePolitikeZgjerohet programi i kontrollit biologjik të gështenjës në 6 bashki, Ministri Salla:...

Zgjerohet programi i kontrollit biologjik të gështenjës në 6 bashki, Ministri Salla: Po ndërtojmë model të ri bashkëpunimi

Advertismentspot_img

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, firmosi sot marrëveshjet e bashkëpunimit me bashkitë Shkodër, Tropojë, Malësi e Madhe, Pukë, Fushë-Arrëz dhe Vau i Dejës, për zbatimin e programit të kontrollit biologjik të dëmtuesit të gështenjës. Në ceremoni morën pjesë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe përfaqësues të FAO-s.

Marrëveshja formalizon bashkëpunimin mes MBZHR-së dhe pushtetit vendor për zbatimin e projektit “Përmirësimi i prodhimit të qëndrueshëm të gështenjës në Shqipëri përmes kontrollit biologjik të insekteve dëmtuese”, duke përcaktuar kuadrin institucional për mbrojtjen dhe zhvillimin e këtij sektori.

“Sot firmosëm marrëveshjet e bashkëpunimit me bashkitë Shkodër, Tropojë, Malësi e Madhe, Pukë, Fushë-Arrëz dhe Vau i Dejës, për zbatimin e programit të kontrollit biologjik të dëmtuesit të gështenjës. Po ndërtojmë një model të ri bashkëpunimi mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit vendor për të mbrojtur një aset si masivet e gështenjës, që sot shtrihen në rreth 10 mijë hektarë dhe përbëjnë burim të rëndësishëm të ardhurash për zonat veriore,” u shpreh Ministri Salla.

Masivet e gështenjës në veri të vendit po përballen me kërcënimin e Grerëzës Aziatike të Gështenjës (Dryocosmus kuriphilus), një dëmtues që mund të shkaktojë humbje prodhimi. Pas suksesit të pilotimit në Tropojë, ku u ngrit laboratori i parë fushor për rritjen e insekteve të dobishme që parazitojnë dëmtuesin, programi tashmë do të shtrihet në bashkitë e tjera me sipërfaqe të konsiderueshme gështenjash.

“Me zgjerimin e modelit të suksesshëm të Tropojës, duke luftuar në mënyrë biologjike dëmtuesin e grerëzës aziatike, synojmë të mbrojmë prodhimin, të forcojmë kapacitetet vendore dhe të garantojmë qëndrueshmëri afatgjatë për këtë sektor,” theksoi ai.

Kontrolli biologjik i aplikuar konsiderohet një zgjidhje miqësore me mjedisin dhe me kosto-efektive, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e masiveve të gështenjës dhe në të ardhurat e fermerëve të vegjël, për të cilët grumbullimi dhe shitja e frutit përbën një burim kryesor jetese.

Programi parashikon ngritjen e laboratorëve rajonalë për shumimin dhe shpërndarjen e agjentëve biologjikë, angazhimin e bashkive me ambiente dhe staf teknik për monitorimin në terren, si dhe mbështetje teknike nga FAO përmes trajnimit të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Procesi synon rikuperim gradual të prodhimit, me rezultate të pritshme pas vitit të katërt dhe rikthim të plotë brenda 8–10 viteve nga ndërhyrja.

Ky bashkëpunim zhvillohet në kuadër të nismës globale të FAO-s “Një Vend, Një Produkt Prioritar” (OCOP), që synon promovimin e produkteve bujqësore me vlerë strategjike dhe forcimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular