Në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Filarmonia e Kosovës realizoi koncertin solemn me pjesëmarrjen e korit dhe orkestrës.
Programi përfshiu uverturë nga “Nabucco”, veprën “Gloria” të John Rutter, si dhe tri vepra premierë nga Aleksandër Vezulli, Aulon Naçi dhe Valton Beqiri, përfshirë “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës”, si dedikim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Koncerti u drejtua nga dirigjenti Baki Jashari dhe pati interpretimet e solistëve Betim Krasniqi dhe Vendim Kapaj, “Mjeshtër i Madh”.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Aulon Naçi interpretoi kompozimin e tij të titulluar “Shi Lotësh”, për piano, fyell, cylë dyjare dhe orkestër.
“Kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një festë përkujtimore, por edhe një dëshmi e gjallë e lidhjeve të forta kulturore mes dy vendeve tona. Mirënjohje e thellë për të gjithë artistët, partnerët dhe organizatorët që bënë të mundur këtë mbrëmje me peshë historike dhe emocionale”, u shpreh Aulon Naçi, duke uruar që ky të jetë vetëm fillimi i projekteve që do të lënë gjurmë në jetën kulturore të Shqipërisë e Kosovës.







