HomeKultureLekë Tasi merr titullin e nderit nga Bashkia Divjakë “Për rezistencë dhe...

Lekë Tasi merr titullin e nderit nga Bashkia Divjakë “Për rezistencë dhe dinjitet njerëzor”

Advertismentspot_img

Lekë Tasi, piktori, shkrimtari dhe violonçelisti 96-vjeçar u nderua  nga bashkia Divjakë me titullin e nderit “Për rezistencë dhe dinjitet njerëzor”.

Ceremonia u zhvillua sot në mjediset e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të hapjes së ekspozitës fotografike “Historitë e patreguara të Lushnjës”.

Titulli iu dorëzua ish-të përndjekurit politik Lekë Koço Tasi, me motivacionin: “Për rezistencë dhe dinjitet njerëzor të ish-të përndjekurit, si person aktiv në dokumentimin e së shkuarës”.

Në fjalën e saj, kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula, e vendosi këtë ceremoni në një kontekst më të gjerë historik, duke lidhur hapjen e ekspozitës, figurën e Lekë Tasit dhe lëvizjen studentore të viteve ’90 si shprehje të së njëjtës vlerë: dinjitetit njerëzor përballë padrejtësisë.

Ajo theksoi se Lushnja dhe Myzeqeja për dekada u kthyen në një “kamp të shpërndarë” internimi, ku mijëra familje jetuan nën izolim dhe pa të drejta, ndërsa kujtesa e kësaj historie mbetet ende një detyrë e papërfunduar për shoqërinë shqiptare.

“Internimet mbeten një padrejtësi e gjatë dhe e papërballur plotësisht, as nga historiografia, as nga politikat e rehabilitimit”, u shpreh Sula.

Lekë Tasi falënderoi për vlerësimin dhe e cilësoi këtë nderim si një thirrje për reflektim shoqëror mbi të kaluarën. Ai theksoi se pasojat e 45 viteve të diktaturës vijojnë të ndihen edhe sot, duke ndikuar në mënyrën si perceptohet historia dhe si ndërtohen marrëdhëniet në shoqëri.

Lekë Tasi solli shembuj të solidaritetit njerëzor në periudha të vështira, duke theksuar se pikërisht integriteti dhe ndjeshmëria kanë bërë të mundur mbështetjen mes njerëzve, pavarësisht rrethanave.

Gjatë aktivitetit doli në pah edhe krijimtaria e tij në pikturë, e cila është vlerësuar nga artistë dhe studiues të artit si një formë e veçantë shprehjeje, ku përvoja jetësore dhe reflektimi personal marrin formë artistike.

Lekë Tasi lindi më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operas ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati, Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë anëtar i Parlamentit të parë shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të Qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Arrestohet dhe dënohet në gjyqin special në vitin 1945. Xhaxhai, Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.

Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, për 15 vjet (1975-1990).

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular