nga Bujar Leskaj
Në përmbyllje të deklaratave në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Presidenti Hashim Thaçi dha një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë: “Akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.”
Ai theksoi se akuzat ndaj tij nuk janë vetëm të pavërteta dhe absurde, por thellësisht ofenduese për kujtimin e mijëra dëshmorëve dhe për dhjetëra mijëra viktima civile të vrara gjatë masakrave në Kosovë. Në të njëjtën kohë, ai shprehu bashkëndjesi dhe keqardhje për të gjitha viktimat, pa dallim etnik, një qëndrim që tregon përgjegjësi morale dhe respekt për çdo jetë të humbur.
Presidenti rikujtoi se në fillim të vitit 1998, kur ndodhën masakrat, ai ishte student në Zyrih dhe jo duke bërë plane për pushtet. I vetmi që kishte plane morbide për Kosovën ishte regjimi i Slobodan Milošević, i cili kishte vënë nën kontroll të plotë territorin dhe ushtronte shtypje sistematike ndaj shqiptarëve. Shqiptarët e Kosovës nuk ushtronin pushtet, ata mbijetonin nën një regjim represiv.
Lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte projekt për marrje pushteti, por organizim popullor për mbijetesë, liri dhe paqe. Kauza e saj ishte çlirimtare dhe e drejtë. Siç ka theksuar edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, vetë Millosheviçi ishte “rekrutuesi më i madh” i UÇK-së përmes dhunës që ushtroi ndaj popullit të Kosovës.
Thaçi nënvizoi se fitorja e Kosovës ishte mbi të gjitha politike dhe diplomatike, falë aleancës së fortë me NATO dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa ndërhyrjen e NATO-s, nuk do të kishte liri dhe as pavarësi të Kosova. Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte akt dinjiteti kombëtar, jo instrument për pushtet personal.
Në këtë proces gjyqësor, së bashku me Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar dënime të rënda, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se mungojnë prova për pretendimet e ngritura. Tashmë çështja i takon trupit gjykues.
Ky proces nuk është vetëm çështje individësh. Ai prek narrativën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën kolektive të një populli që kërkonte liri, mbijetesë dhe dinjitet. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, e bazuar në fakte dhe e lirë nga paragjykimet historike.
Liria e Kosovës erdhi nga sakrifica dhe nga aleanca me botën demokratike. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë aktakuzë.







