HomePolitike56% e të rinjve në BE në profesionin e studiuar, Shqipëria larg...

56% e të rinjve në BE në profesionin e studiuar, Shqipëria larg standardit evropian

Advertismentspot_img

Në vitin 2024, 56.4% e të rinjve të moshës 15 – 34 vjeç në Bashkimin Evropian, me arsim të mesëm ose të lartë, deklaruan se puna e tyre aktuale (ose e fundit kryesore) ka një përputhje të lartë ose shumë të lartë me fushën e studimit.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se lidhja mes diplomës dhe tregut të punës mbetet e fortë në disa sektorë kyç, por e dobët në disa të tjerë.

Sipas raportimit, 46.1% e të rinjve me arsim të mesëm deklaruan përputhje të lartë mes studimeve dhe punës, ndërsa kjo shifër ngjitet në 68.1% për ata me arsim të lartë.

Të dhënat konfirmojnë qartë, se sa më i lartë niveli arsimor, aq më e madhe mundësia për të gjetur një vend pune në përputhje me profilin profesional.

Shëndetësia kryeson, artet hasin vështirësi

Fusha me përputhjen më të lartë rezulton të jetë shëndetësia dhe mirëqenia sociale, ku 80.6% e të diplomuarve me arsim të lartë punojnë në profesione shumë të lidhura me studimet e tyre.

Pas saj renditen:
• Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) me 77.0%
• Arsimi me 73.6%

Në anën tjetër, të rinjtë e diplomuar në:
• Arte dhe shkenca humane – 52.2% raportojnë vështirësi për të gjetur punë të përshtatshme
• Shkenca sociale, gazetari dhe informim – 59.1%
• Shërbime – 59.3%

Këto fusha paraqesin nivelin më të ulët të përputhjes mes diplomës dhe kërkesave të tregut të punës, duke reflektuar një mospërputhje strukturore ndërmjet ofertës akademike dhe kërkesës ekonomike.

Diferenca të theksuara mes vendeve të BE-së

Në nivel kombëtar, vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve që raportojnë përputhje të lartë mes studimeve dhe punës janë: Letonia me 76.5%, Lituania me 76.1% dhe Gjermania me 75.2%.

Sfidat më të mëdha raportohen në Itali me 41.6%, Sllovakia me 46.2% dhe Danimarka me 47.1%.

Këto diferenca tregojnë se struktura e tregut të punës dhe politikat kombëtare të arsimit ndikojnë drejtpërdrejt në tranzicionin nga universiteti drejt punësimit.

Raporti për të diplomuarit shqiptarë

Sipas një raporti të Fondacionit Evropian të Trajnimeve, rreth 40% e të punësuarve me arsim të lartë në Shqipëri janë në vende pune që nuk përputhen me kualifikimin e tyre.

Diçka e tillë, do të thotë një mospërputhje mes kërkesës dhe ofertës për punë. Sipas ekspertëve, shumë të rinj nuk e shfrytëzojnë njohurinë dhe formimin e tyre, por punojnë thjesht për të pasur një pagë në fund të muajit.

Shumë programe studimi mbeten ende teorike dhe jo mjaftueshëm të përditësuara me nevojat reale të ekonomisë. Studentët shpesh diplomohen pa aftësi praktike të mjaftueshme dhe me pak përvojë pune, ndërsa praktikat profesionale janë të kufizuara, formale ose jo sistematike.

Megjithatë, ndonëse jo në të njëjtin nivel me normat e vendeve të BE-së, krahasuar me vite më parë, duket se të rinjtë shqiptarë janë më të orientuar në zgjedhjet e tyre. Kjo sepse një pjesë e të rinjve ndjekin studimet për talentin që kanë, duke zgjedhur degë dhe programe që të kenë akses në nivel global. Në regres është interesi për degët prioritare të shtetit.

Raporti i Fondacionit Evropian të Trajnimeve, tregon se rreth 66% e të rinjve në Shqipëri punësohen menjëherë pas diplomimit. Ndërsa kjo shifër tregon një përmirësim të lehtë, ajo mbetet ende nën standardin e BE-së, ku norma e punësimit është 82.4%.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular