HomeOP EDKur një pikë ndan përsosmërinë nga “Shumë mirë”: Drejtësi apo dogmë në...

Kur një pikë ndan përsosmërinë nga “Shumë mirë”: Drejtësi apo dogmë në notën 10 në Universitet? nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Pal Nikolli
Në auditorët universitarë, drejtësia shpesh matet me pikë. Një sistem i zakonshëm vlerësimi e ndan performancën në intervale të barabarta prej dhjetë pikësh: 45–54 nota 5, 55–64 nota 6, 65–74 nota 7, 75–84 nota 8, 85–94 nota 9. Por kur arrijmë në majë, rregulli ndryshon: 95–100 pikë japin notën 10. Vetëm pesë pikë për të fituar vlerësimin maksimal.

Formalisht, sistemi duket i rregullt, linear, i qartë. Secili interval përfaqëson një segment të përpjekjes dhe të arritjes. Por në majë të shkallës ndodh një ngushtim: nota 10 ka gjysmën e hapësirës së notave të tjera. A është kjo një zgjedhje pedagogjike e arsyetuar, apo një asimetri që meriton reflektim?

Nëse çdo notë përfaqëson një nivel të ndryshëm të përvetësimit, atëherë proporcionaliteti është parim themelor. Një kalim nga 74 në 75 kërkon një pikë; një kalim nga 84 në 85 po ashtu. Por kalimi nga 94 në 95, vetëm një pikë diferencë, ndryshon statusin akademik të studentit nga “shumë mirë” në “shkëlqyeshëm”. Ndërkohë, për të kaluar nga nota 8 në 9 duhen dhjetë pikë të plota. Këtu lind pyetja: a po krijojmë një peshë disproporcionale në kulm?

Argumenti tradicional thotë se nota 10 duhet të jetë e rrallë. Ajo simbolizon përsosmëri, dominim të plotë të lëndës, një nivel elitar. Në këtë kuptim, ngushtimi i intervalit është një mënyrë për ta mbrojtur prestigjin e saj. Por a është realiste të kërkohet “përsosmëri absolute” në një sistem matjeje që vetë përmban elemente interpretimi? A mund të diferencohet në mënyrë cilësore një punim me 94 pikë nga një me 95?

Vlerësimi universitar nuk është vetëm akt matematikor; ai është akt pedagogjik. Nëse diferenca është minimale dhe nuk cenon standardin, duhet aplikuar ai që quhet “rrumbullakim pedagogjik i arsyetuar”. Nota është sintezë e njohurive, por edhe mesazh për studentin. Kur sistemi bëhet tepër mekanik, ai rrezikon të humbasë dimensionin formues. Një student me 93 apo 94 pikë mund të ketë treguar thellësi analitike, mendim kritik dhe përkushtim të vazhdueshëm. A është e drejtë që një diferencë minimale numerike ta përjashtojë atë nga nota maksimale?

Reflektimi nuk do të thotë ulje standardesh. Do të thotë rishikim i proporcionalitetit. Nëse të gjitha notat kanë interval prej dhjetë pikësh, pse jo edhe 10-ta? Nëse duam rigorozitet, le ta ruajmë atë në cilësinë e testimit, në qartësinë e rubrikave, në transparencën e korrigjimit, jo në një ngushtim aritmetik që krijon pabarazi strukturore.

Universiteti është hapësirë e mendimit kritik. Ai duhet të ketë guximin të analizojë edhe praktikat e veta. A është sistemi aktual plotësisht objektiv, apo thjesht tradicional? A po e trajtojmë notën 10 si simbol mitik, duke penalizuar ata që realisht e meritojnë?

Ndoshta ka ardhur koha për një debat të hapur akademik mbi filozofinë e vlerësimit. Sepse drejtësia në arsim nuk matet vetëm me barazi formale, por me koherencë midis parimeve dhe praktikës. Nëse pesë pikë vendosin fatin e përsosmërisë, atëherë pyetja mbetet: a po e ruajmë standardin, apo po e ngushtojmë padrejtësisht horizontin e meritës?

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular