Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin policor të koduar “Bilanci”, duke goditur veprimtaritë e paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në administrim të shtetases G. T., 49 vjeçe, banuese në Tiranë, u konstatua se ajo ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse dhe nuk deklaronte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.
Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i saj. Në kuadër të hetimeve, u sekuestruan rreth 40 000 euro në valuta të ndryshme dhe një njësi kompjuterike, nga e cila rezultoi se subjekti kishte qarkulluar rreth 2 000 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







