Katër kandidatë kanë shprehur interes për postin e kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, në përfundim të afatit të aplikimeve. Kuvendi i Shqipërisë hapi zyrtarisht procedurën për plotësimin e një vendi vakant në Komisionin e Konkurrencës, pozicion që përfshin njëkohësisht edhe funksionin e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës. Procesi nisi pasi drejtuesit aktual, Denar Biba, i ka përfunduar mandati 5-vjeçar.
Legjislacioni në fuqi parashikon që anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi mbi bazën e propozimeve institucionale: një kandidat propozohet nga Presidenti i Republikës, dy nga Këshilli i Ministrave dhe dy nga Kuvendi. Autoriteti i Konkurrencës është institucion i pavarur që i raporton Kuvendit dhe ka rol kyç në garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Katër kandidatë në garë
Në mbarim të afateve ligjore, ekofin.al mëson se për postin e Kryetarit janë vetëofruar katër kandidatë: drejtuesi aktual Denar Biba, si dhe Pajtim Melani, Eldian Balla dhe Ivis Nocka.
Denar Biba

Denar Biba është zgjedhur Kryetar i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës me vendimin nr. 87/2021, datë 9.12.2021, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999) dhe ka përfunduar studimet Master në “Studime të Evropës Juglindore” pranë Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës (2000).
Karrierën e ka nisur në Ministrinë e Drejtësisë si specialist në Drejtorinë e Organizimit Gjyqësor, ndërsa në vitet 2001-2002 ka qenë Shef i Sektorit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë. Në periudhën 2002-2005 ka shërbyer si Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas si Këshilltar Juridik i trupës së gjyqtarëve (2005-2010).
Në vitin 2009 ka qenë stazhier në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ndërsa në vitet 2011-2012 ka punuar si Ndihmës Ligjor në Gjykatën e Lartë. Në periudhën 2016-2017 është zgjedhur Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ushtruar më herët edhe funksionin e Zëvendëskryetarit të KQZ në disa mandate. Në vitet 2013-2014 ka qenë Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.
Pajtim Melani

Pajtim Melani ka përfunduar studimet për Ekonomiks në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës (1998), si dhe studimet Master për Menaxhim Biznesi (MBA).
Aktualisht mban pozicionin e Këshilltarit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Ka punuar në AKEP, ndërsa ka qenë Drejtor i Mbikëqyrjes pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe njëkohësisht Kryetar (jo-ekzekutiv) i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Eksperienca e tij përfshin gjithashtu pozicione si këshilltar dhe zv.drejtor në Departamentin e Kontabilitetit dhe Pagesave pranë Bankës së Shqipërisë, këshilltar i Ministrit të Integrimit dhe këshilltar i Ministrit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtinë.
Eldian Balla

Dr. Eldian Balla është lektor në Departamentin e Marketingut në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Ai mban diplomë Bachelor në Agribiznes nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Master Shkencor në Marketing nga Universiteti i Tiranës dhe doktoraturë (PhD) në Marketing nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Më herët ka mbajtur pozicione drejtuese në sektorin privat, përfshirë funksionet e Sales and Marketing Manager në EHW GmbH dhe OPEL-NOSHI, si dhe ka punuar si Credit Analyst në ProCredit Bank.
Ivis Nocka

Ivis Nocka ka një eksperiencë të gjatë në administratën publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Aktualisht ushtron funksionin e Këshilltarit pranë Kuvendit të Shqipërisë (2024-në vijim). Prej vitit 2017 është gjithashtu Senior Consultant pranë UNODC. Ai ka një karrierë të gjatë si nëpunës i lartë civil (Senior Civil Servant) në administratën publike shqiptare.
Në periudhën 2021-2023 ka qenë Drejtor i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Më herët ka shërbyer si Minister Counsellor në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë (2019-2021), si dhe ka mbajtur funksione koordinuese pranë Këshillit të Ministrave dhe në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
Gjithashtu ka pasur eksperiencë ndërkombëtare si Planning & Liaison Officer për Evropën Juglindore në RACVIAC – Qendra për Bashkëpunim në Siguri, me seli në Zagreb.
Procesi i përzgjedhjes pritet të kalojë në fazën e dëgjesave në komisionet parlamentare përkatëse përpara votimit në seancë plenare. Zgjedhja e Kryetarit të ri të Autoritetit të Konkurrencës vjen në një moment kur tregjet shqiptare përballen me sfida të ndjeshme në drejtim të përqendrimeve, mbikëqyrjes së tregjeve dhe garantimit të konkurrencës efektive.







