Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot gjatë paradites në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Emisari Sørensen e uroi kryeministrin me rastin e formimit të qeverisë së re dhe për mandatin e tij të ri, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për sundim të ligjit dhe përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, si prioritete të qarta të agjendës sonë qeverisëse dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Po sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim njoftues Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas një komunikate, në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. /KosovaPress







