Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Task-Forcën e Transportit Rrugor, ka nisur këtë të martë, më 24 shkurt, zyrtarisht fushatën e kontrollit inteligjent të mjeteve në qarkullim.
Siç bëjnë me dije uniformat blu, kjo fushatë ka nisur pranë aksit Tiranë–Milot, një segment me fluks të lartë qarkullimi, dhe do të vijojë në disa nga akset kryesore kombëtare.
Në nisje të saj, kanë marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, si dhe ai i Task-Forcës së Transportit Rrugor, Ajet Zyberaj.
Përmes përdorimit të teknologjisë së makinës inteligjente realizohet identifikimi në kohë reale i mjeteve në lëvizje dhe verifikimi i dokumentacionit të tyre, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Kjo fushatë sipas DPSHTRR-së synon:
– rritjen e sigurisë në rrugë;
– evidentimin e mjeteve me mangësi ligjore apo dokumentacion të parregullt;
– garantimin e respektimit të kontrollit teknik të rregullt;
– forcimin e ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës për detyrimet ligjore.
Në vijim të fushatës, do të zbatohet një plan veprimi i dedikuar për identifikimin e mjeteve që nuk përmbushin detyrimet ligjore për qarkullim.







