Kombëtarja shqiptare do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në muajin mars ku për herë të parë do të tentojë Kupën e Botës.
Situata në kampin kuqezi, duket se po qetësohet pasi lojtarët janë në formë dhe duket se është lënë pas momenti i keq i tyre, ku shumë lojtarë ishin pa minuta, pa skuadra apo edhe të dëmtuar. Nga java në javë, duket se Shqipëria është më gati për sfidat e muajit mars që mund të çojnë skuadrën në një moment historik.
Në fund të muajit mars, kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në kuadër të gjysmëfinaleve të “Play Off”-it. Një fitore në këtë ndeshje do të hapte rrugën për një duel të mundshëm në finale ndaj fituesit të çiftit UkrainëSuedi. Ky mund të jetë shansi i fundit i Shqipërisë për të realizuar një objektiv të madh dhe për të shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.
RIKTHIMI I MBROJTJES-Për të arritur këtë sukses, Kombëtarja shqiptare ka mundësinë të mbështetet te rikthimi i disa prej lojtarëve më të rëndësishëm që kishin munguar në muajt e kaluar. Ky rikthim ka qenë një faktor kyç në përmirësimin e situatës, duke ofruar më shumë mundësi dhe një ndihmë të madhe për trajnerin Silvinjo. Një nga lajmet më pozitive është rikuperimi i Ardian Ismajlit, mbrojtësit të Torinos, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë me dëmtime të shpeshta, por që tashmë është në fazën e rikuperimit dhe pritet të jetë gati për ndeshjet e marsit. Ismajli i cili mungoi për disa ndeshje që nga janari, u rikthye këtë fundjavë duke luajtur 50 minuta me Torinon dhe gjendja e tij duket e mirë duke sjellë qetësi për repartin e mbrojtjes.
Po ashtu, Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares, ka pasur disa shqetësime për shkak të dëmtimeve të shpeshta, por tani duket se ka rikuperuar energjitë dhe është gati në sfidat e marsit megjithëse ka edhe disa javë. Gjimshiti është një nga liderët e skuadrës dhe rikthimi i tij në formë, është një lajm tjetër pozitiv për tifozët e Shqipërisë dhe stafin teknik. Një tjetër rikthim shumë i rëndësishëm është ai i Mario Mitajt, mbrojtësit të Al Itihad, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë me skuadrën e tij, por ka dëshmuar formë të mirë në ndeshjet e fundit me skuadrën e tij. Mbrojtësi kuqezi ishte një nga lojtarët të cilët trajneri Konseisao nuk e preferonte në skuadër dhe shpesh herë ishte në tribunë, por së fundmi duket se ka blinduar vendin e tij si titullar.
MESFUSHA- Shqipëria ka pasur në vitet e fundit lojtarë me shumë minuta në mesfushë megjithatë para pak javësh u duk se situata ishte e vështirë, kjo për shkak të mungesës së minutave dhe situatave jo të mirë të lojtarëve. Kristjan Asllani që nuk po gjente dot skuadër, është kthyer në protagonist me skuadrën e Beshiktashit në Turqi dhe ndeshjen e fundit arriti të jepte edhe asist duke marrë vlerësime pozitive nga mediat.
Të njëjtin moment po kalon edhe Ramadani i cili me Leçen arriti të shënonte një javë më parë duke konfirmuar momentin e mirë. Drejt rikthimit në fushë është edhe Medon Berisha i cili po lë pas dëmtimin e pësuar pak javë më parë. Arbnor Muja ka vazhduar të bindë në Belgjikë, duke shënuar një gol të rëndësishëm për St. Truiden ndërkohë që një moment të mirë po kalojnë edhe Julian Shehu në Poloni dhe Qazim Laçi me këtë të fundit që ishte protagonist në kampionatin turk duke dhënë asist këtë fundjavë me skuadrën e tij.
Nedim Bajrami la pas dëmtimin e pësuar muaj më parë dhe u rikthye në fushën e blertë me Rejnxhërsin, ku këtë javë arriti edhe të jepte asist për të konfirmuar se është një lojtar që po pret momentin e tij.
SULMI- Ndërkohë, një repart tjetër që e ka parë kontingjentin e Shqipërisë të forcohet, është edhe sulmi. Myrto Uzuni, i cili është në formë të shkëlqyer me Austin, ka shënuar një gol të rëndësishëm në ndeshjen ndaj Minnsotas që në javën e parë dhe po e tregon veten si një opsion të fortë për sulmin e Kombëtares.
Po ashtu, Anis Mehmeti është bërë protagonist i Ipsuiç, duke shënuar golin e tij të parë për këtë skuadër, një arritje që e vendos atë si një alternativë të mundshme për sulmin e Shqipërisë në ndeshjet e marsit. Ernest Muçi po kontribuon me gola, asiste dhe paraqitje të fantastike te Trabzonspori, duke qenë padyshim një nga lojtarët më në formë të Shqipërisë.
Rei Manaj vendosi të largohej nga Emiratet Arabe për të firmosur në Turqi te Sivaspori dhe mund të themi se po kalon një formë fantastike. Sulmuesi lushnjar shënoi këtë javë sërish me skuadrën e tij teksa vetëm pak ditë më parë kishte shënuar 2 gola të tjerë.
SKUADRA- Me rikthimin e lojtarëve të rëndësishëm dhe formën e mirë të disa prej futbollistëve, Kombëtarja është gati për dy sfidat kyçe të marsit. Shqipëria ka një mundësi të artë për të kaluar në finale dhe për të shkuar në një turne të tillë për herë të parë në histori. Panorama SPORT







