Për dy ditë me radhë, Universiteti i Arteve, Fakulteti i Artit Skenik dhe Fakulteti i Muzikës në bashkëpunim me The Albanian Cinematheque do të zhvillojnë një workshop dyditor mbi Kompozimin e Muzikës për Film.
Ky workshop konsiderohet si një mundësi e jashtëzakonshme për kineastët, kompozitorët e muzikantët e rinj, për të thelluar njohuritë dhe zgjeruar horizontet profesionale.
Workshopi do të zhvillohet më 24 dhe 25 shkurt, në sallën “Ibrahim Madhi” të Universitetit të Arteve.
UA kujton se, kompozimi muzikor është thelbësor për industrinë e filmit, ai formëson emocionin, atmosferën, ritmin dhe ndikimin narrativ.
I udhëhequr nga një kompozitor ndërkombëtar i mirënjohur, me përvojë të gjerë bashkëpunimi me institucione dhe festivale të rëndësishme evropiane të filmit, workshop-i ofron një mundësi të rrallë për t’u përballur me ekspertizë të nivelit të lartë në fushën e kompozimit dhe shoqërimit muzikor live. Pjesëmarrësit do të eksplorojnë marrëdhënien midis imazhit dhe tingullit duke zhvilluar aftësi praktike dhe duke u rilidhur me një traditë të rëndësishme kinematografike.
Workshopi lidhet gjithashtu me ringjalljen e kinokoncerteve, performanca muzikore live që shoqërojnë projeksionet filmike, një praktikë e rrënjosur në kinemanë pa zë dhe sot e rimenduar përmes arkivave dhe kinemasë eksperimentale.
Workshop-i “Reframing the Frame” mbështetet nga British Council WB-UK Creative Skills Development Fund, i cili mundëson partneritete ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar.







