Pasditen e kësaj të mërkure është vështirësuar qarkullimi në aksin Lozhan-Moglicë-Gramsh, të caktuar si aks alternativ pas bllokimit të atij Librazhd-Prrenjas.
Raportohet se dje pasdite është shtuar fluksi i mjeteve. Sipas informacioneve, mësohet se nga rruga e Gramshit janë lejuar të hyjnë drejt juglindjes 2 kamionë. Këta të fundit kanë hapur krahun në anë të rrugës, por për shkak të lëvizjes së lartë të mjeteve, është krijuar një ngërç në qarkullim.
Lëvizja e mjeteve po bëhet e ngadalësuar ndërsa në këtë segment sapo ka mbërritur policia e qarkullimit të Korçës.
Bllokohet dogana e Bllatës, radhë mbi 4 km pas devijimit të trafikut nga Librazhdi
Trafik i rënduar është krijuar edhe në Doganën e Bllatës, në kufirin nga Maqedonia drejt Shqipërisë. Pas shembjes së rrugës në Librazhd, është devijuar i gjithë trafiku i mjeteve në doganën e Bllatës.
Përgjatë këtyre ditëve rreshti i kamionëve që vijnë nga Greqia, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut është më shumë se 4 km, kjo për shkak edhe të kapaciteteve të vogla përpunuese të të dyja doganave, si dhe rrugës së ngushtë.
Pas hapjes së rrugës së Arbrit, distanca Shkup-Tiranë distanca është shkurtuar me rreth 85 km krahasuar me rrugën nga Qafë-Thana, ndaj kjo doganë ka marrë një pjesë të konsiderueshme të trafikut.
Fakti që kapacitetet doganore, të përpunimit të mjeteve dhe të pasagjerëve, rrugët e ngushta bëjnë që të ketë rradhë të gjata çdo ditë.
Librazhd-Prrenjas i bllokuar që prej të shtunës
Sjellim ndërmend se rruga që lidh Librazhdin me Prrenjasin është shembur dhe është bërë e pakalueshme që nga data 21 shkurt 2026. “Izolimi” i juglindjes ka çuar në akuza të ndërsjellta mes palëve politike.
Kreu demokrat Sali Berisha ka akuzuar qeverinë e Ramës për situatën, duke u shprehur se shembja ndodh, për shkak të korrupsionit në ndërtimin e akseve rrugore. Ndërsa, kryeministri Edi Rama shprehet se shkak për shembjen është përbërja gjeologjike në atë zonë.
Një ditë më parë, në një konferencë për mediat, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli ka njoftuar se do të ndërtohet një rrugë e re alternative dhe se ura dëmtuar në këtë aks do të shembet dhe do të ndërtohet një urë e re.







