HomeOP EDNatyra si alibi! nga Pal Nikolli

Natyra si alibi! nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Prof.Dr.Pal Nikolli
Sa herë që rrugët rrëshqasin, shpatet shemben apo qarkullimi bllokohet, një refren i njohur rikthehet në diskursin publik: “ishte natyra”. Reshjet, erozioni, terreni i vështirë, të gjitha paraqiten si forca të pakontrollueshme, përballë të cilave shteti del i pafuqishëm. Por ky është një justifikim i rrezikshëm. Sepse pikërisht për t’i përballuar veprimtaritë negative të natyrës ekziston inxhinieria, ekzistojnë projektet, studimet gjeologjike, analizat gjeoteknike dhe standardet teknike.
Natyra nuk është surprizë. Ajo është faktor që parashikohet. Rrëshqitjet e dherave, prirjet e shpateve, drenazhimi i ujërave, përbërja litologjike e terrenit, të gjitha janë elemente që studiohen para se të hidhet asnjë metër kub beton. Çdo objekt inxhinierik serioz ndërtohet mbi bazën e studimeve të mirëfillta, jo mbi optimizëm politik apo nxitim elektoral.
Kur një rrugë e re shembet pas reshjeve të para intensive, problemi nuk është shiu. Problemi është projekti. Është mungesa e analizës së rrezikut. Është mosrespektimi i standardeve. Është kursimi në cilësi për të rritur fitimin. Është tenderimi formal, mbikëqyrja e dobët, kolaudimi i pakujdesshëm. Zinxhiri i përgjegjësisë është i qartë: projektuesit që hartojnë dokumentacionin, zbatuesit që ndërtojnë, institucionet që tenderojnë, strukturat që mbikëqyrin, komisionet që kolaudojnë. Nëse një hallkë dështon, dështimi bëhet publik dhe i prekshëm.
Fshehja pas “forcës madhore” është një mënyrë për të shpërndarë përgjegjësinë në ajër. Por infrastruktura nuk është akt fataliteti; është produkt vendimmarrjeje. Çdo metër rrugë është rezultat i një firme, një preventivi, një kontrate dhe një mbikëqyrjeje. Dhe aty ku ka firmë, ka edhe përgjegjësi.
Në një vend me reliev të thyer, me reshje intensive sezonale dhe me histori rrëshqitjesh, ndërtimi kërkon standarde më të larta, jo më të ulëta. Kërkon transparencë në projektim, auditim teknik të pavarur, kontroll cilësie real dhe ndëshkim kur konstatohet shkelje. Përndryshe, cikli përsëritet: ndërtohet me ngut, dëmtohet me reshje, justifikohet me natyrën.
Natyra bën atë që ka bërë gjithmonë. Pyetja është: a bëjmë ne detyrën tonë? Nëse infrastruktura shembet, nuk është mali që duhet të japë llogari. Janë njerëzit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular