Spitali Rajonal i Kukësit, por edhe spitalet e Hasit dhe Tropojës, nuk kanë kapacitetet e nevojshme për ofrimin e disa shërbimeve të specializuara shëndetësore.
Prej vitesh këto shërbime, ku veçohet ai i hemodializës, ofrohen në spitalet rajonale të Prizrenit dhe Gjakovës. Prefekti i qarkut, Dritan Baji, tha se gjithçka funksionon mbi bazën e marrëveshjeve ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës marrin shërbimin mjekësor të specializuar pranë këtyre qendrave të Republikës së Kosovës. Për shkak të specifikave, ka trajtime që spitali ynë nuk i mbulon,” u shpreh Baji.
Spitali i Kukësit ka edhe një bashkëpunim të veçantë me spitalin e Prizrenit, nga i cili angazhohen mjekë kirurgë për të asistuar pranë spitalit rajonal të Kukësit.
“Mjekët kirurgë të Kosovës na asistojnë për kryerjen e operacioneve pranë spitalit të Kukësit,” shtoi ai.
Prefekti Baji theksoi se ky bashkëpunim është i qëndrueshëm, duke marrë në konsideratë rezultatet efikase që ka dhënë ndër vite. Nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja ka shumë raste urgjencash mjekësore që transferohen në Prizren e Gjakovë për trajtim më të specializuar, ashtu si edhe për shërbime të tjera kirurgjikale.
Prej shumë vitesh, rreth 27 pacientë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin shërbimin e hemodializës pranë spitaleve të Prizrenit dhe Gjakovës.







