Këtë të enjte, 26 shkurt, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt unionit.
I pranishëm ishte Andreas Schieder, raportuesi për Shqipërinë, i cili shprehu shqetësimet e tij për klimën politike, duke cilësuar se ka pasur një radikalizim të fortë. Ai theksoi se prioritet i vendit tonë duhet të mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave. Fokusi tek këto grup-kapituj bën që objektivi i 2027-ës të jetë shumë i arritshëm, siç shprehet Schieder.
“Klima politike nuk është më e mira e mundshme. Ka shqetësime lidhur me zgjedhjet, dyshime për blerje votash, por gjithashtu ka shqetësime lidhur me bashkëpunimin politik. Sidomos javët e fundit, ka pasur një radikalizim të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Prioritet tani duhet të jetë mbyllja e kapitujve të negociatave me ndryshim konkret. Objektivi për 2027-ën është shumë më i arritshëm”, tha Schieder.
Sakaq, kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, u shpreh se Shqipëria ka ende punë për të bërë lidhur me anëtarësimin e saj në BE. Ai solli në vëmendje edhe protestat e opozitës, duke i cilësuar të dhunshme e jo të pranueshme për vende demokratike.
“Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë teksa vendi hyn në fazë të rëndësishme. Procesi është strikt dhe bazohet në meritë. Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe implementimi i tyre. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”, tha McAllister.
Eurodeputeti, Marco Tarquinio, ngriti shqetësimin e numrit të lartë të të paraburgosurve në Shqipëri.
Duke u ndalur tek drejtësia në vendin tonë, eurodeputeti Thomas Waitz u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.
“Pavarësia e gjyqësorit është pikë kyçe dhe avancimi duhet të vijojë. Fakti që SPAK-u ka pasur kapacitetin që të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë tregon se ka kapacitet dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të shohim më shumë gjithëpërfshirje, sidomos të shoqërisë civile”, tha Waitz.
Kujtojmë se Parlamenti Evropian, miratoi më 9 korrik raportin për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, me 502 vota nga 689 eurodeputetë që ishin të pranishëm. Në këtë raport, vëmendje e veçantë i kushtohet institucioneve të drejtësisë (shtetit të së drejtës), dezinformimit rus dhe lirisë së medias.







