Ekonomia shqiptare ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm zgjerimi gjatë vitit 2025, ndonëse me një ngadalësim të lehtë krahasuar me një vit më parë. Sipas raportit më të fundit të Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.7% në terma vjetorë gjatë periudhës janar–shtator 2025.
Rritja është mbështetur kryesisht nga sektori i pasurive të paluajtshme, shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) si dhe ndërtimi. Këta sektorë kanë kompensuar dobësinë e industrisë dhe bujqësisë, të cilat sipas BERZH kanë shfaqur tkurrje, të ndikuara nga forcimi i monedhës vendase dhe kërkesa e dobët nga jashtë.
Në planin e kërkesës agregate, konsumi qeveritar dhe eksportet e shërbimeve – kryesisht të lidhura me turizmin – kanë ndihmuar në balancimin e rënies së eksporteve të mallrave. Pavarësisht zgjerimit të deficitit tregtar në mallra, llogaria korrente regjistroi një suficit të lehtë, e mbështetur nga flukset e forta të turizmit dhe remitancave.
Një tjetër zhvillim domethënës i theksuar në raport është rritja rekord e investimeve të huaja direkte (FDI) gjatë vitit 2025. Sipas BERZH, këto investime janë përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm për tregun shqiptar, por edhe strukturën e orientuar drejt sektorëve jo-prodhues.
Inflacioni arriti në 2.3% në dhjetor 2025, duke mbetur pranë objektivit të stabilitetit të çmimeve. Megjithatë, inflacioni bazë ka shënuar rritje, i nxitur nga çmimet më të larta të qirave dhe energjisë. Në këtë kontekst, banka qendrore uli normën bazë të interesit në 2.5% në korrik 2025 dhe e ka mbajtur të pandryshuar që prej asaj kohe, duke sinjalizuar një qëndrim të kujdesshëm në politikën monetare.
Për periudhën 2026–2027, BERZH parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të mbetet rreth nivelit 3.5% në vit. Shtysë pritet të japin reformat që synojnë përafrimin e kuadrit rregullator me atë të Bashkimit Evropian, si dhe investimet e mundshme të financuara nga fondet e BE-së.
Raporti nënvizon gjithashtu rreziqet klimatike, veçanërisht thatësirat që ndikojnë në prodhimin e energjisë. Megjithatë, këto rreziqe konsiderohen pjesërisht të zbutura falë diversifikimit më të madh të burimeve të rinovueshme në përzierjen energjetike të vendit.
Në tërësi, tabloja që paraqet BERZH është ajo e një ekonomie që vijon të rritet me ritme solide në kontekst rajonal, por me një strukturë rritjeje të përqendruar në sektorë të caktuar dhe me sfida të qarta në balancimin e prodhimit të brendshëm me konkurrueshmërinë e jashtme. /ekofin.al








