Prof. Xhepa, kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi në datat 24–27 shkurt 2026 një vizitë pune treditore në Pekin, i shoqëruar nga mbi 30 përfaqësues të kompanive më të mëdha prodhuese gjermane. Vizita e tij u parapri në janar 2026 nga vizitat e kryeministrave të Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Pse ky kthim i fortë i vëmendjes së Evropës ndaj shtimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike me Kinën?
Prof. Dr. Selami Xhepa: Skena e ekonomisë botërore gjatë viteve të fundit po përjeton një transformim të rëndësishëm. Kjo, në saje të ndryshimit të politikave tregtare, kryesisht të politikave të Presidentit Trump.
Ky ndryshim ka ridimensionuar të gjithë hartën e qarkullimit të mallrave në ekonominë botërore dhe jo rastësisht Kina ka qenë qendra e vëmendjes të vizitës së shumë vendeve të tjera, duke filluar që nga kryeministri i Kanadasë, një sërë liderësh evropianë, mbreti i Spanjës dhe së fundmi kancelari Merz.
Këto vizita demonstrojnë rëndësinë e veçantë që ka ekonomia kineze në veçanti, për një lloj ribalancimi në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis vendeve të botës. Dhe të gjitha vendet po rikalibrojnë interesat e tyre ekonomike.
Në këtë kuptim, po trashëgojmë një botë mjaft të ndërlidhur. Prandaj është e nevojshme të rinegociohen edhe njëherë dhe të shikohen mundësitë dhe oportunitetet e reja që krijohen në këtë kuadër.
Pa diskutim, Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës dhe ekonomia evropiane ka pësuar një goditje të fortë gjatë dekadave të fundit, në kuptimin e konkurrueshmërisë së saj.
Prandaj liderët evropianë janë të angazhuar në një plan reformash për përshpejtimin industrial dhe rikthimin e konkurrueshmërisë në ekonominë evropiane. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ndërmarrë shumë iniciativa për të gjallëruar ekonominë evropiane. Për më tepër kur sot, në industrinë automobilistike evropiane kemi një lloj “hollowing out”, pra një lloj tkurrjeje të industrisë së manifakturës dhe të gjithë industrive të rënda, kryesisht për shkak të konkurrencës që vjen nga produkte të cilësisë së lartë dhe me kosto mjaft të ulëta nga prodhuesit kinezë.
Si ka evoluar bashkëpunimi tregtar dhe investues mes Europës dhe Kinës në 50 vitet e fundit? Nga hapja ekonomike e Kinës në fund të viteve ’70 të shekullit te kaluar, deri tek sfidat aktuale gjeoekonomike, ky raport ka përbërë një nga boshtet kryesore të ekonomisë botërore. Për vitin 2025, vëllimi tregtar BE-Kinë u rrit me 5 përqind, pavarësisht problematikave, duke kapur shifrën e 642 miliardë eurove.
Prof. Dr. Selami Xhepa: Historia e marrëdhënieve ekonomike tregtare midis BE-së dhe Kinës fillon që nga mesi i viteve ’70 të shekullit të kaluar. Fabrika e parë gjermane ishte ajo e Volkswagen-it, e hapur në vitet ’84 në Shangai. Ishte një kohë kur Evropa i mësonte Kinës si të prodhojë makina. Ajo që po ndodh sot është një proces i kundërt, ku Kina po i mëson Evropës si të prodhojë makinat elektrike.
Sot Kina është lider global në këtë lloj teknologjie dhe, pa diskutim, kjo po ushtron një presion të jashtëzakonshëm dhe po e sfidon industrinë evropiane të makinave, e cila duhet thënë se është kryesisht gjermane, pasi prodhuesit më të mëdhenj janë gjermanët.
Ndërsa më përpara kishim një sërë investimesh evropiane në Kinë, sot skena është më komplekse. Sigurisht, interesat për investime evropiane në Kinë vijojnë të jenë të forta. Një nga temat në diskutimet e kancelarit Merz në Pekin ka qenë klima e investimit në Kinë, që të jetë më e hapur, më transparente dhe, në veçanti, mbrojtja e pronësisë intelektuale. Sot pjesa më e madhe e zinxhirit prodhues në botë diktohet nga industritë kritike dhe teknologjitë e reja, ku mbrojtja e pronësisë intelektuale luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Pavarësisht se ka një lloj riorientimi të tregtisë për shkak të tarifave të larta të SHBA-ve, edhe pse tregtia e Kinës me SHBA-të pësoi rënie me 4 për qind gjatë vitit 2025, nëse shikojmë tregtinë e Kinës me pjesën tjetër të botës, ajo është rritur shumë.
Pra, suficiti tregtar i Kinës jo vetëm që nuk ka ardhur në rënie, por është shtuar me gati 1.2 trilionë dollarë vetëm vitin e kaluar. Çka do të thotë se ekonomia kineze vazhdon ta orientojë ekonominë e saj strategjikisht, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Evropë, dhe me Gjermaninë është lidhur shumë.
Dhe Gjermania, nga një vend që ka pasur historikisht suficit tregtar, në vitin 2025 kishte rreth 19 miliardë euro deficit. Kjo e rrit akoma më tepër rëndësinë që ka rinegocimi i marrëveshjeve tregtare dhe rishikimi për oportunitete të reja, jo vetëm në industrinë tradicionale, por në veçanti edhe në zinxhirin global të vlerës së shtuar, në ato që janë produkte teknologjike dhe sensitive.
Pse ka rëndësi forcimi i marrëdhënieve ekonomike Evropë-Kinë në të ardhmen? Cilat janë fushat ku bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mund të përshpejtohet dhe zgjerohet?
Prof. Dr. Selami Xhepa: Ne e dimë që Kina është ekonomia e dytë më e madhe e botës. Ajo është gati katër herë më e madhe se ekonomia gjermane dhe në këtë kuptim duhet nënvizuar fakti që ekonomia kineze ka një potencial të jashtëzakonshëm rritjeje.
Nëse modeli i derisotëm ka qenë orientimi i Kinës drejt tregjeve të eksporteve, aktualisht rikalibrimi i Kinës kërkon zgjerimin e kërkesës së brendshme konsumatore të saj. Çka nënkupton që dinamikat e tregut të brendshëm do të jenë në rritje të vazhdueshme.
Duke qenë të tilla, kjo zgjon interesin e ekonomive të mëdha, ku padiskutim Evropa e Bashkuar është njëra prej tyre. Evropa sot e ka Kinën partnerin më të madh tregtar. Vetë Gjermania ka Kinën partner kryesor. Në këtë kuptim, rëndësia e marrëdhënieve midis Kinës dhe Evropës mbetet kritike.
A duhet të përfitojë dhe vendi ynë nga kjo rritje e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar BE-Kinë? Kina sot është importuesja e dytë më e madhe e Shqipërisë, pas Italisë.
Prof. Dr. Selami Xhepa: Është e vërtetë që për Shqipërinë, Kina është partneri i dytë më i madh tregtar në importe. Ajo që ne blejmë në Kinë përbën 14% të totalit të importeve që ka Shqipëria. Nëse kemi importe 9 miliardë dollarë në vit, 1.3 miliardë dollarë i importojmë nga Kina.
Ajo çfarë importojmë janë mallra të teknologjisë së fundit, makina, kompjuterë dhe mallra industriale të nivelit të lartë teknologjik.
Kjo i ndihmon kompanitë shqiptare të importojnë teknologji më të lira, në mënyrë që të realizojnë procesin e zëvendësimit teknologjik, aq jetik për rritjen e produktivitetit të ekonomisë sonë.
Një përkeqësim i tregtisë me Kinën do të kishte kosto më të larta për prodhuesit tanë dhe, për pasojë, inflacion më të lartë. Fakti që kompanitë kineze po eksportojnë produkte me çmime shumë të ulëta ka efekte pozitive në reduktimin e inflacionit edhe tek ne.
Në kontekstin e ri gjeopolitik, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me Kinën mbetet i rëndësishëm dhe duhet të jetë në vëmendjen e autoriteteve tona.
Ritmi i rritjes së ekonomisë së Kinës pritet të jetë 5 për qind këtë vit, në një kohë që ekonomia botërore është në një lloj ngërçi të theksuar. Edhe vendet e vogla mund të përfitojnë nga mundësitë që krijon një ekonomi e madhe, që shërben si motor për rritjen ekonomike dhe punësimin.







