HomeEkonomiOBP organizoi forumin për nxitjen e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurimin publik

OBP organizoi forumin për nxitjen e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurimin publik

Advertismentspot_img

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) zhvilloi sot forumin me temë “Nxitja e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të OBP”, një aktivitet që mblodhi përfaqësues të shoqatave të biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë të prokurimeve.

Administratorja e OBP-së, znj. Arlinda Pogaj, prezantoi rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në standardizimin dhe konsolidimin e procedurave të prokurimit, duke theksuar se institucioni synon të krijojë një model më të parashikueshëm dhe më të hapur për tregun.

“OBP është e angazhuar për të krijuar rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë. Qëllimi ynë është që prokurimi publik të jetë i parashikueshëm, transparent dhe i aksesueshëm, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Besojmë se vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me biznesin mund të ndërtojmë një sistem që funksionon në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve,” u shpreh znj. Pogaj.

Ajo shtoi se forcimi i konkurrencës mbetet prioritet thelbësor për institucionin që drejton. “Sa më e gjerë të jetë pjesëmarrja, aq më e fortë bëhet cilësia e ofertave dhe aq më i madh është përfitimi për buxhetin e shtetit. OBP synon të krijojë një mjedis ku çdo biznes që plotëson kriteret të ndjehet i sigurt dhe i trajtuar në mënyrë të barabartë. Transparenca dhe standardizimi janë garancia jonë për një treg më të shëndetshëm dhe më të besueshëm,” theksoi znj. Pogaj.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të digjitalizimit të proceseve të prokurimit publik, duke garantuar më shumë transparencë, gjurmueshmëri dhe standardizim të procedurave.

Rezultatet tregojnë rritje të numrit të proceseve të menaxhuara nga OBP dhe njëkohësisht ulje të numrit të ankesave, si rezultat i metodologjisë së unifikuar dhe standardizimit të dokumentacionit dhe procedurave.

Në panelin e diskutimit, me temë “Sfida dhe mundësi për bizneset në prokurimin publik”, përfaqësues të biznesit ndanë shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me kriteret, procedurat dhe aksesin në tenderë.

Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar, vlerësoi nismën për dialog të drejtpërdrejtë me institucionet publike, duke theksuar nevojën për komunikim të vazhdueshëm.

“Biznesi ka nevojë për rregulla të qarta, procedura të standardizuara dhe parashikueshmëri. Forume të tilla krijojnë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar besim dhe për të adresuar konkretisht barrierat që hasen në praktikë,” u shpreh z. Shkodra.

Gjatë aktivitetit u theksua se rritja e pjesëmarrjes në procedurat e OBP-së pritet të kontribuojë në forcimin e konkurrencës, përmirësimin e cilësisë së ofertave dhe në kursimin e fondeve publike përmes standardizimit dhe konsolidimit të blerjeve.

Forumi u mbyll me angazhimin e OBP-së për të vijuar takime të rregullta informuese dhe konsultuese me komunitetin e biznesit, me qëllim ndërtimin e një modeli prokurimi publik më transparent, më gjithëpërfshirës dhe më efikas.

Gjatë 21 muajve të veprimtarisë së tij, OBP ka konsoliduar një model të qëndrueshëm të prokurimit të përqendruar në rreth 40 fusha të ndryshme, duke zhvilluar afro 1000 procedura për 216 institucione publike dhe duke kursyer për buxhetin e shtetit rreth 35.5 milionë euro.

Përmes standardizimit të specifikimeve teknike dhe çmimeve nëpërmjet katalogëve, unifikimit të kritereve të kualifikimit dhe aplikimit të mekanizmave si marrëveshjet kuadër paraprake dhe minikonkurset me afate të shkurtra, është rritur ndjeshëm konkurrenca – me dyfishim të pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë – si dhe është përmirësuar transparenca, efikasiteti dhe koha e realizimit të procedurave.

Rritja e besimit ndaj organit qendror blerës reflektohet edhe në faktin se 6% e kërkesave për prokurim paraqiten në mënyrë vullnetare nga autoritete që nuk kanë detyrim ligjor të prokurojnë përmes OBP.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular