Konferenca ndërkombëtare “Breaking the Frame: Gratë e Ballkanit ri-imagjinojnë kinemanë” bëri bashkë regjizore, producente, drejtues të fondeve kombëtare të filmit dhe autoriteteve evropiane, nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Mali i Zi, Qipro, Franca dhe Eurimages.
Mbi 50 pjesëmarrës patën mundësinë të angazhohen në diskutime të rëndësishme mbi situatën e industrisë audiovizuale në rajon, praktikat franceze dhe evropiane që kanë sjellë përmirësime të dukshme, veçanërisht në rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin audiovizual, si dhe sfidat me të cilat përballen kineastët, producentët dhe regjisoret në Ballkan.
Tre panele intensive trajtuan barrierat reale që pengojnë gratë të drejtojnë filmin e parë, mundësitë e bashkëprodhimeve rajonale dhe rrugën nga rekomandimet vullnetare drejt mekanizmave të detyrueshëm të barazisë gjinore në financimin filmik.
Kineastet e pranishme thanë se, gratë nuk kanë nevojë të kërkojnë vend në tryezën e kinemasë, sepse ato e kanë ndërtuar vetë atë tryezë.
Takimi, ku u fol për kalimin nga diskutimi në veprim konkret, ishte organizuar nga Albanian Women in Audiovisual (AWA), me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri, KUB France Tirana dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK). E pranishme në takim ishte ambasadorja franceze, Catherine Suard si dhe kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.







