Me 9.53 milionë shikues dhe një pjesëmarrje prej 59.5% në ekran, nata e dytë e Festivalit të Sanremos, ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke u regjistruar si rezultati i katërt më i mirë që nga viti 1995. Gjatë konferencës për shtyp përpara natës së tretë, drejtuesi Carlo Conti dhe bashkë-prezantuesja e mbrëmjes, modelja ruse Irina Shayk, iu përgjigjën interesit të mediave, duke theksuar suksesin e festivalit, por duke u distancuar qartë nga çështjet politike dhe polemikat.
Shifrat rekord dhe e ardhmja e Contit
Pavarësisht parashikimeve për një rënie të mundshme në natën e dytë, shifrat kanë konfirmuar suksesin e formatit. Drejtori artistik në Rai, Williams Di Liberatore, e cilësoi festivalin në “gjendje të shkëlqyer shëndetësore”, duke shtuar se ngjarja mbetet një mundësi jashtëzakonisht e vlefshme për investitorët dhe sponsorët.
Nga ana e tij, Carlo Conti u shpreh i kënaqur me rritjen e audiencës, por shfrytëzoi rastin për të sqaruar të ardhmen e tij. Ai konfirmoi përfundimisht se ky do të jetë festivali i tij i fundit për këtë cikël, duke theksuar se nuk ndien asnjë ofendim nga mbështetja e drejtuesve të Rai-t për një kalim të mundshëm të stafetës te Stefano De Martino vitin e ardhshëm.
Distancimi nga politika dhe sqarimi i polemikave
Konferenca u karakterizua nga pyetje jashtë sferës muzikore, të cilave protagonistët zgjodhën t’u përgjigjen me diplomaci. I pyetur nëse do të votojë në referendumin e ardhshëm për drejtësinë, Conti deklaroi: “Nuk e di nëse do të votoj… U besoj njerëzve që i zgjedhim si përfaqësues, ata dinë si ta bëjnë punën e tyre.”
Në të njëjtën linjë, bashkë-prezantuesja Irina Shayk refuzoi të komentonte mbi luftën në Ukrainë. “Nuk dua të hyj në çështje politike sepse jam këtu për të festuar dashurinë, muzikën dhe unitetin,” u shpreh ajo, duke u ndalur më pas te bindjet e saj, duke e përkufizuar veten si “feministe në mënyrën e saj”.
Conti shfrytëzoi praninë e gazetarëve edhe për të shuar dy polemika të fundit.
Mungesën e grave mes artistëve “Big” e justifikoi me faktin se ai përzgjedh këngët dhe jo këngëtarët, dhe tregu aktual dominohet nga prodhimet e meshkujve.
Për takimin e munguar në skenë mes Fedez dhe Achille Lauro-s, ai theksoi se ishte thjesht një “ndryshim i minutës së fundit në formacion” dhe jo një skenar i qëllimshëm për të shmangur përballjen mes të dyve.

Çfarë pritet sonte në Ariston?
Nata e tretë, e cila u transmetua mbreme ekskluzivisht edhe në RTSH- 2, solli emocione të forta, e fokusuar si në mesazhet sociale, ashtu edhe në magjinë e muzikës ndërkombëtare. Drejtuesit e festivalit kanë konfirmuar disa nga momentet kryesore:
Dueti botëror, Alicia Keys dhe Eros Ramazzotti do të performojnë drejtpërdrejt këngën “Aurora”. Për herë të parë, ylli amerikan do të këndojë në italisht, një gjest që ajo e përshkroi si një nderim krenar për rrënjët e saj siçiliane.
Kjo performancë shënon rikthimin e Erosit në Ariston, saktësisht 40 vjet pas fitores historike me “Adesso Tu”.
Mesazhe për paqen dhe kundër dhunës. Laura Pausini do të interpretojë “Heal The World” të Michael Jackson. Gjithashtu, skena do t’i kushtohet luftës kundër bullizmit me historinë e Paolo Sarullo-s, të riut që mbeti i paralizuar pas një sulmi.







