Kryebashkiaku i New York, Zohra Mamdani, bëri të ditur se ka zhvilluar një takim frytdhënës me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Në qendër të diskutimeve ishin strehimi i përballueshëm dhe arrestimet e studentëve nga autoritetet e emigracionit.
Ky ishte takimi i dytë mes tyre që pas zgjedhjes së Mamdanit në krye të bashkisë vitin e kaluar.
Në një reagim në rrjetin social X, kryebashkiaku publikoi një foto me presidentin amerikan, duke shkruar: “Pata një takim frytdhënës me presidentin Trump. Pres me padurim të bashkëpunojmë për ndërtimin e më shumë banesave në qytetin e Nju Jorkut”.
Strategji komunikimi për planin e strehimit
Gjatë takimit, Mamdani i paraqiti Trump një faqe të parë simbolike gazete, të përgatitur nga ekipi i tij, për të ilustruar se si një plan i gjerë për strehimin mund të paraqitej pozitivisht në media. Sipas mediave amerikane, kjo lëvizje u pa si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e presidentit përmes një qasjeje komunikimi të drejtpërdrejtë.
Ndonëse përfaqësojnë kampe të kundërta politike – Mamdani si demokrat me prirje socialiste dhe Trump si republikan – ata kanë shfaqur tone të moderuara në daljet publike, pavarësisht dallimeve të theksuara.
Arrestimi i studentes dhe reagimi i presidentit
Një nga çështjet e ngritura në takim ishte arrestimi i studentes së Columbia University, Elmina Agayeva, me origjinë nga Azerbajxhani, nga agjentët e Immigration and Customs Enforcement (ICE).
Sipas autoriteteve universitare, agjentët hynë në ambientet e konviktit pa paraqitur urdhër arresti. Kryebashkiaku shprehu shqetësimin e tij lidhur me ngjarjen, ndërsa më pas deklaroi se presidenti e kishte informuar se studentja do të lirohej menjëherë. Vetë ajo konfirmoi më vonë në rrjetet sociale se ishte e lirë dhe në gjendje të mirë.
Përplasjet për emigracionin dhe Gazën
Mamdani ka qenë kritik i hapur i politikave të ashpra të emigracionit të administratës Trump, veçanërisht për veprimet e ICE në qytetet amerikane dhe procedurat e dëbimit. Ai ka shprehur gjithashtu kundërshtimin ndaj qëndrimit të presidentit amerikan për konfliktin në Gaza.
Zyra e tij njoftoi se i ka dorëzuar Shtëpisë së Bardhë një listë me katër studentë pro-palestinezë që po përballen me procedura dëbimi, duke kërkuar mbylljen e çështjeve të tyre. Bëhet fjalë për: Mahmoud Khalil, Yunseo Chung, Mohsen Mahdawi dhe Lega Cordia.
Sipas njoftimit, tre prej tyre janë liruar, ndërsa njëra prej studenteve vijon të mbahet në paraburgim. Nga ana e tij, Trump i ka cilësuar protestuesit pro-palestinezë si antisemitë.
Strehimi, prioritet i përbashkët
Pavarësisht përplasjeve politike, çështja e strehimit duket se përbën një pikë të përbashkët interesi. Çmimet e larta të pronave dhe kostot e jetesës mbeten një shqetësim i madh në SHBA.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut bëri të ditur se i ka kërkuar presidentit shtim të fondeve federale për ndërtimin e banesave të përballueshme, veçanërisht në zonën e Queens-it, një nga pesë bashkitë e qytetit.







