Kryeministri Edi Rama ka ironizuar protestën e radhës së opozitës, e pesta kombëtare, që po zhvillohet aktualisht në rrugët e Tiranës.
Në një postim në rrjetin social X, kryeministri ka ndarë dy fotografi nga sulmet amerikano-izraelite në Teheran, si edhe një kosh që ka marrë flakë nga molotovët që hodhën protestuesit në Tiranë.
Ai shkruan se ndërsa është me botën e lirë kundër regjimit të Iranit, opozita shqiptare është me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës.
“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës“, shkroi Rama.

Fill pas kryeministrit Edi Rama, ka reaguar ministrja e Brendshme (ende në detyrë) Albana Koçiu, për protestën që po zhvillohet sot, 28 shkurt, në rrugët e Tiranës.
“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës.
Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.
Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.
Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, thotë ministrja, duke shënjestruar jo vetëm opozitën, por edhe liderin e saj, Sali Berisha.








