Gjithçka nisi kur vogëlushi mori si dhuratë për ditëlindje një model avioni të kompanisë
Një histori e pazakontë vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku një fëmijë vetëm 5 vjeç arriti të vërë re një mospërputhje në manualin e trajnimit të një prej kompanive ajrore më të mëdha në botë, Southwest Airlines. Zbulimi i tij i ka habitur jo vetëm prindërit, por edhe pilotët dhe drejtuesit e kompanisë.
Gjithçka nisi kur vogëlushi, i cili jeton me familjen e tij në shtetin e Colorado-s, mori si dhuratë për ditëlindje një model avioni të kompanisë. Ai është i apasionuar pas mekanikës dhe avionëve dhe shpesh viziton aeroportin më të afërt pranë shtëpisë së tij, Rocky Mountain Metropolitan Airport, ku ndjek me kureshtje ngritjet dhe uljet e avionëve.
Në një festë familjare, bashkëshortja e një piloti të Southwest vuri re pasionin e djalit për avionët dhe i propozoi nënës së tij që ai të takonte bashkëshortin e saj, i cili punon si pilot në kompani. Piloti e vizitoi vogëlushin në shtëpi dhe, përveç dhuratave të tjera, i dhuroi edhe një manual të vërtetë trajnimi që përdoret nga kompania.
Manuali ishte mjaft teknik dhe përmbante shpjegime të detajuara mbi funksionimin mekanik të avionit, procedurat operative dhe masat e sigurisë. Ndërsa shumica e fëmijëve do ta kishin parë thjesht si një libër me figura, 5-vjeçari e studioi me kujdes të jashtëzakonshëm. Gjatë leximit, ai vuri re se në një ilustrim të kabinës së pilotimit, dy monitorë tregonin distanca të ndryshme nga toka për të njëjtën situatë fluturimi, një mospërputhje që nuk duhej të ekzistonte.
Piloti mbeti i habitur nga vëmendja ndaj detajeve dhe mënyra e qartë sesi fëmija e shpjegoi vërejtjen e tij. Ai ia tregoi rastin eprorëve në kompani. Edhe pse kompania nuk e konsideroi ilustrimin si një gabim të rëndë teknik, pranoi se zbulimi i një fëmije kaq të vogël tregon aftësi të rralla vëzhgimi dhe zgjuarsi.
Si shenjë vlerësimi, Southwest Airlines ftoi djalin, motrën e tij dhe prindërit për të vizituar selinë qendrore të kompanisë në Teksas. Atje, vogëlushi pati mundësinë të shohë nga afër ambientet e kompanisë dhe të provojë edhe simulatorë modernë fluturimi, një përvojë e paharrueshme për të dhe familjen e tij.
Kjo histori vjen në një kohë kur shumë kompani ajrore përballen me mungesë pilotësh dhe kërkojnë breza të rinj, që të ndjekin këtë profesion. Ndoshta, pas disa vitesh studimi dhe përkushtimi, ky fëmijë i talentuar mund të ulet vetë në kabinën e një avioni si komandant.
Historia e tij është një dëshmi sesi pasioni, kurioziteti dhe vëmendja ndaj detajeve nuk varen nga mosha. Edhe një fëmijë 5-vjeçar mund të japë një mësim të madh për të rriturit. /La Repubblica/







