HomeAktualitetMinistri i Bujqësisë: Skema e re për fermerët javën e ardhshme, prioritet...

Ministri i Bujqësisë: Skema e re për fermerët javën e ardhshme, prioritet bletaria, blegtoria dhe siguria ushqimore

Advertismentspot_img

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, raportoi në Komisionin për Bujqësinë mbi ecurinë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes dhe ndryshimet që pritet të reflektohen në paketën e re për fermerët. Sipas tij, skema e re është në fazë përmbyllëse dhe pritet të prezantohet zyrtarisht brenda javës së ardhshme, pas një procesi të gjerë dëgjesash në terren.

Gjatë muajve janar dhe shkurt, Ministria e Bujqësisë ka zhvilluar 23 takime në të 12 qarqet e vendit me fermerë, blegtorë, bletarë, përpunues dhe përfaqësues të pushtetit vendor, për të mbledhur sugjerime konkrete mbi përmirësimin e masave mbështetëse dhe lehtësimin e procedurave.

5.5 miliardë lekë mbështetje dhe 65 mijë përfitues në 2025

Në fjalën e tij, ministri theksoi se gjatë vitit 2025 janë akorduar rreth 5.5 miliardë lekë në kuadër të Skemës Kombëtare, me mbi 65 mijë përfitues në shkallë vendi. Megjithatë, sipas tij, kërkesat e ardhura nga terreni kanë nxjerrë në pah nevojën për rishikim të prioriteteve, veçanërisht në sektorët e blegtorisë dhe bletarisë.

Dyfishim i mbështetjes për koshere dhe objektivi 1 milion deri në 2027

Një nga pikat kryesore të raportimit ishte bletaria. Salla bëri me dije se numri i koshereve në Shqipëri është dyfishuar në pesë vitet e fundit, nga rreth 300 mijë në vitin 2020 në mbi 600 mijë në vitin 2025.

Në këtë kontekst, fermerët kanë kërkuar rritjen e mbështetjes për koshere nga 1.000 lekë në 2.000 lekë. Ministri nënvizoi se sektori i bletarisë është jetik dhe delikat, pasi humbja e një kolonie nuk mund të rikuperohet menjëherë, duke kërkuar një reflektim të veçantë në skemën e re.

Objektivi i deklaruar është arritja në 1 milion koshere deri në vitin 2027, në përputhje edhe me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Europian për zhvillimin e sektorëve prioritarë.

Paralelisht, do të forcohet mekanizmi i rimbursimit në masën 10% përmes autofaturave për produktet e shitura, duke lidhur mbështetjen financiare me formalizimin dhe deklarimin e aktivitetit.

Mbështetje 7–10 mijë euro për të rinjtë në blegtori

Në sektorin e blegtorisë, ministri bëri të ditur se të rinjtë që duan të investojnë në këtë fushë do të mbështeten me fonde në intervalin 7 deri në 10 mijë euro. Qëllimi është rritja e numrit të krerëve, por edhe krijimi i mundësive të reja për të rinjtë në zonat rurale.

Salla theksoi se sektori kërkon vëmendje të shtuar dhe mbështetje të strukturuar, për të garantuar rritje të qëndrueshme dhe për të përballuar sfidat aktuale.

Mbrojtja biologjike në sera, synohet rritje e mbështetjes në 70%

Një tjetër çështje e trajtuar në Komision ishte siguria ushqimore në fermë, veçanërisht në sera. Fermerët kanë kërkuar rritjen e mbështetjes për mbrojtjen biologjike nga 50% në 70% të vlerës së faturave tatimore.

Sipas ministrit, aktualisht vetëm rreth 10% e sipërfaqeve të mbjelljeve përfshihen në skemën e mbrojtjes biologjike, ndërsa synimi është që kjo përqindje të rritet në 30–40%. Ai theksoi se siguria ushqimore nuk lidhet vetëm me kontrollet dhe gjobat, por edhe me ndërgjegjësimin dhe përfshirjen aktive të fermerëve.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka eksportuar mbi 330 mijë ton produkte nga serat, çka e bën të domosdoshëm rritjen e standardeve për të ruajtur aksesin në tregjet europiane.

Formalizimi përmes autofaturave dhe rimbursimit 10%

Ministri nënvizoi se mbështetja do të lidhet gjithnjë e më shumë me formalizimin e aktivitetit bujqësor. Mekanizmi i rimbursimit 10% përmes autofaturave synon të krijojë një zinxhir të plotë faturimi, pa barrë shtesë financiare për fermerët dhe blerësit.

Sipas tij, formalizimi i plotë i shitjeve dhe depozitimi i autofaturave pranë autoriteteve tatimore do të jetë një element kyç për funksionimin e drejtë të skemës.

Akuakultura dhe 800 projekte investimi pranë AZHBR-së

Në raportim u përmend edhe akuakultura, ku aktorët e sektorit kanë kërkuar zgjerim të mbështetjes për akuakulturën detare dhe në ujërat e brendshme, përfshirë prodhimin e rasateve.

Ndërkohë, në paketën e parë të investimeve me grant 50% janë dorëzuar mbi 800 projekte pranë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, me një buxhet rreth 3 miliardë lekë. Lista e re e përfituesve pritet të publikohet në ditët në vijim.

Skema e re brenda javës, por pa ndryshime të shpeshta

Në përfundim të fjalës së tij në Komisionin e Bujqësisë, ministri Andis Salla theksoi se skema e re është ende në proces hartimi përfundimtar dhe se nuk synohet ndryshimi i saj çdo vit në mënyrë të fragmentuar.

“Ne nuk duhet ta ndryshojmë çdo vit skemën sa herë që kemi një takim me fermerët, por duhet të reflektojmë realisht atë që vjen nga terreni”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, brenda javës së ardhshme pritet të dalë versioni përfundimtar i Skemës Kombëtare të Mbështetjes, duke hapur rrugën për aplikimet e reja dhe për një fazë të re financimi për sektorët prioritarë të bujqësisë shqiptare. 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular