XHEVAT MUSTAFA
Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian u diskutua më 19 shkurt 2026 për Shqipërinë. Në këtë mbledhje u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Sipas draftit, si zakonisht me dokumente të kësaj natyre dhe si me të mëparshmit për Shqipërinë, hartuar me dashamirësi diplomatike dhe erozion të fortë sinqeriteti si dhe me doza të larta poziviteti dhe vlerësimesh nxitëse, përparësi apo “detyra shtëpie” për klasën politike dhe qeverisëse të Shqipërisë mbeten edhe për të ardhmen, thuajse të gjitha ato që kanë qenë qysh nga nisja e rrugëtimit të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE.
Konkretisht ato janë: forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimi i funksionimit të plotë të institucioneve demokratike, mbrojtja e lirisë së medias, përshpejtimi i reformave social-ekonomike… Nuk janë detyra as të pakta dhe as lehtësisht të plotësueshme… Në projektrezolutë theksohet qartë se rruga drejt mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027 do të varet nga zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave kyçe. Edhe se progresi formal në procesin teknik të negociatave duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në praktikë, të efektshme e të ndjeshme për përparim dhe suksese. Është bërë e qartë qysh në fillim dhe është bërë e kuptueshme se “procesi i zbatimit real dhe të qëndrueshëm të reformave kyçe” është afatgjatë, kompleks, i ndërlikuar, më shumë nga ana e Shqipërisë se sa e BE-së.
Ai nuk varet dhe përcaktohet nga dëshirat fjalareske dhe zotimet euforike në tribuna politike të Kryeministrit Edi Rama dhe të diplomatëve të tij në Shqipëri apo në Bruksel dhe në kryeqytete të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian. Më troç apo më shqip, ky proces do të vlerësohet dhe pranohet si i suksesshëm dhe i përmbyllur nga arritjet dhe shifrat konkrete; nga treguesit dhe standardet e kontrollueshëm e të shikueshëm. Domethënë, nga realiteti konkret shqiptar dhe jo nga ai i reklamuar me bojëra dhe video marramendëse nga qeveria dhe “bojaxhinjtë” e saj rrogëtarë apo gjase të pavarur. Për të pasur një informacion sa më të saktë për ecurinë e procesit të kryerjes së reformave dhe të ofrimit me standardet e BE-së nga Shqipëria ndihmojnë disa shifra, tregues, fakte, që “dhurohen” si nga INSTAT-i qeveritar në Tiranë, ashtu edhe nga EUROSTAT dhe qendra të tjera ndërkombëtare vlerësimi, anketimi, statistikash… Nga shumica e të dhënave të publikuara prej tyre këto dy vitet e fundit del përfundimi se ndryshe nga sa është reklamuar në tribuna partiake dhe qeveritare të PS-së e në mediat pro qeveritare, Tirana-Shqipëria vazhdon të jetë akoma shumë larg standardeve të BE-së, në mënyrë figurative, edhe sa janë gjeografikisht larg njeri-tjetrit Surreli nga Brukseli! Disa fakte e shifra nga anketime ndërkombëtare.
-Nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, Shqipëria e ka mbyllur me 39 pikë raportin e vitit 2025 për luftën kundër korrupsionit, duke humbur 3 pikë dhe rënë me 11 vende në renditjen globale, në pozicionin e 91. Më mirë në renditje se Shqipëria janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Por shumë më mirë se Shqipëria është edhe Kosova, ndërsa vendi ynë renditet në kategorinë e vendeve afrikane. Një gjë e tillë do të thotë se ligjet ekzistojnë në letër, por nuk zbatohen në realitet.
Bllokimi i luftës kundër korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare shfaqet shumë qartë në rastet e dosjeve Olta Xhaçka, Frida Kr ifca, Belinda Balluku… Në raportin e Eurostat, publikuar në fillim të vitit 2026, Shqipëria renditet e fundit edhe në rajon. Të dhënat janë analizuar në bazë të përllogaritjes së të ardhurave totale të një familjeje, taksave dhe zbritjeve të tjera që janë në dispozicion për shpenzimet, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes. Për më tepër e më keq, edhe pse Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, paradoksalisht në tregjet e saj, shumica e artikujve ushqimorë, të higjienës, kozmetikës, farmaceutikës, elektronikës, veshmbathjeve… tregtohen me çmimet më të larta? Se në ç’gjendje është Shqipëria në krahasim edhe me standardet mesatare të BE-së e shprehin edhe disa ngjarje e fakte të freskëta të këtyre 3 muajve të fundit. Në dhjetor 2025 dhe janar 2026 u përmbytën pas 1 ore shi disa qytete, sidomos në zonat bregdetare.
Ndërsa në fundshkurt 2026 patën shembje dhe bllokime disa rrugë automobilistike kombëtare në Shqipërinë Juglindore, duke paralizuar ndjeshëm për disa ditë lëvizjen e banorëve të Pogradecit dhe Korçës! Në mbrëmjen e dt. 1 mars 2026, natë me yje e hënë, ikën dritat dhe interneti për dy orë në disa blloqe afër qendrës së Tiranës. Në mesditën e 2 marsit, ditë me diell, ora 14.30, 15.30… nuk punonte sistemi i internetit në disa institucione zyrtare dhe shëndetësore, përfshirë edhe një spital, në të cilët, në raste kritike luhet edhe me jetën e njerëzve…! Në mbrëmjen e dt.2 mars, po me qiell mbushur me yje, mbetën 4 orë pa drita Orikumi, Tragjasi, Rradhima, Dukati…. Këto ndërprerje energjie elektrike, interneti, sistemesh…. janë të shpeshta edhe nëpër zyra institucionesh qeveritare e shtetërore. Edhe në ambulanca lagjesh, në Zyra postare, të OSSHE, UKT, të këmbimit valutor, në të cilat paguhen edhe faturat e dritave e të ujit… Edhe nëpër sekretari shkollash, në zyra avokatie, në zyra të gjendjes civile, në agjenci imobilare, funerale…! Shkurt: shtet pa shtet dhe pa qeverisje funksionale 24-orëshe dhe 365- ditëshe!? Shqip fare: për nga standardet e përditshme, jo të denjë për në BE! Sipas treguesve apo fakteve të përjetueshëm nga shumica e banorëve akoma të gjallë e në Shqipëri, vendi ynë mund të quhet kampion për disa tregues negativë:
– Për korrupsion, emigracion, trafiqe të drogave dhe për pastrimin e parave kriminale apo të pista…
– Për nivelin më të ulët të pensioneve të ulët dhe mesatar…!
– Për rreth 47% të popullsisë me nivelin minimal të varfërisë!
-Për ndotjen e ajrit dhe të ambientit, përfshirë edhe brigjet e detit…
-për kanabizimin e vendit dhe për pastrimin e miliardave nga trafiku i drogave…
– Për mungesën e një linje normale hekurudhore krahinore e jo më mbarë vendore!
Përbën arsye për shqetësim mbarë vendor edhe fakti se gjatë 12 viteve të Rama-qeverisjes apo Rama-paqeverisjes, nga Shqipëria kanë ikur çdo vit si emigrantë në vende të Perëndimit, rreth 45-75 mijë banorë të moshave nga 18- 35 vjeç…, duke u zëvendësuar me afrikanë, aziatikë, latino-amerikanë…! Këtë kryeministri dhe tellallet e tij politikë dhe mediatikë e reklamojnë si sukses! Sipas të dhënave të OECD-së, publikuar në mesqershor 2025, Shqipëria renditet e fundit në rajon në shumicën e treguesve kryesorë.
“…Të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë vetëm 37% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë nuk kalon 20% të vendeve të BE-së… Pavarësisht propagandës për investime të larta, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për sa u përket standardeve infrastrukturore…”. Më shumë për të dëshmuar qenien e tyre në unison apo një mendjeje për shumëçka lidhur me zhvillimet dhe të ardhmen e Ballkanit si dhe për anëtarësimin e plotë në BE të Serbisë dhe Shqipërisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikuan më 27-28 shkurt 2026 një editorial të përbashkët në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), në të cilin propozojnë një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Në thelb të propozimit të tyre qëndron ideja e “një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit”.
Pra, pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse… Nëse lexohet me vëmendje të shtuar, nuk është e vështirë për të kuptuar se ky editorial, edhe pse nuk ka ide dhe propozime të reja apo të padëgjuara në salla e korridore të BE-së, është një “kryevepër” hipokrizie, demagogjie, mashtrimi…
Më shumë se sa keqardhjen për shqetësimet që do t’u shkaktohen liderëve të vendeve anëtare të BE-së nga vonesa dhe cilësia jo e duhur e arritjes së standardeve nga vendet kandidate, Serbia dhe Shqipëria, ata fshehin paaftësinë e tyre individuale dhe ekipore si dhe mungesën e dëshirës për të përmbushur kërkesat dhe arritur standardet në nivelet e duhura. Me sa nënkuptohet, ata nuk e duan fare apo shpejt anëtarësimin e plotë dhe me të drejta të plota në BE! Arsyeja? Sepse kjo do të nënkuptonte kontroll të fortë e rigoroz mbi ata dhe ekipet e tyre qeveritare, sidomos për qindra milionat dhe miliardat me euro që do të dërgohen nga BE-ja dhe për humbjen e lirisë së deri sotme për t’i futur pjesët më të mëdha në xhepat e veta, të miqve, ortakëve… si dhe për të qeverisur, si deri më sot, si perandorë e mbretër!







