Nga Bujar Leskaj
Sot u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare i nderuari Tomor Dosti, një nga figurat qëndrore të Partisë Demokratike dhe të antikomunizmit në Shqipër.
Biri i denjë i Hasan Dostit, personalitetit poliedrik, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në SHBA, si dhe kryetar i Ballit Kombëtar në mërgim, tribun i ndërkombëtarizimi të çështjes shqiptare gjatë Luftës së Ftohtë dhe një zë i fortë kundër regjimit të Enver Hoxhës, Tomori përfaqësoi një profil politik që lidhet ngushtë me periudhën e konsolidimit të pluralizmit në Shqipëri dhe me sfidat e tranzicionit politik e institucional të vendit.
Tomori lindi në Gjirokastër në vitin 1930. Pas arratisjes së babait dhe vëllait Luanit, ai me vëllezërit dhe motrat, pasi të ëmën ia pushkatuan gjermanët ditën e largimit nga Tirana, u persekutuan egërisht nga rregjimi komunist.
Tomori njihet në shoqërinë shqiptare për vuajtjet e tij në kohën e diktaturës. U dënua në vitin 1953 me 25 vjet heqje lirie. Burgun e vuajti në Burrel, mes personaliteteve të Shqipërisë. Pas burgut kaloi kalvarin e internimit familjarisht.
Më 1991 i bashkohet PD-së, duke vënë në dispozicion të saj emrin dhe kredibilitetin e tij politik dhe historik të familjes së tij .
Ai ishte nënkryetar i Partisë Demokratike në vitet e para të saj dhe dha kontribut të spikatur demokratik.U zgjodh deputet në dy legjislatura 1991-1996, ndërsa në vitin 1998 u tërhoq nga politika aktive, duke u shënuar si një nga drejtuesit e lartë më largpamës dhe të ndershëm të PD dhe të djathtës në tranzicion .
Si ish-deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura, ai u bë pjesë e brezit të politikanëve që operuan në një kohë transformimesh të thella, kur politika shqiptare ishte në kërkim të stabilitetit, reformave dhe orientimit euroatlantik. Roli i tij si deputet mori rëndësi, jo vetëm për qëndrimet politike që artikulonte, por edhe për mënyrën se si kontribuonte në diskutimet mbi çështje me interes të gjerë publik.
Gjatë mandateve të tij parlamentare, Dosti u përfshi në debatet që lidheshin me reformën në drejtësi, me çështjet e pronësisë, me funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe me standardet e shtetit ligjor. Si pjesë e Partisë Demokratike, ai mbrojti linjën politike progresiste të forcës që përfaqësonte, duke u pozicionuar me kurajo dhe integritet në temat kyçe të reformave themelore të kohës, të zhvillimit ekonomik, të luftës kundër korrupsionit dhe të integrimit europian.
Figura e tij politike duhet parë në kuadrin më të gjerë të evoluimit të Partisë Demokratike dhe të rolit të saj në qeverisjen e vendit dhe në shoqërinë shqiptare.Politikani Tomor Dosti ngeli përfaqësues konsekuent i bindjeve të tij të djathta dhe progresiste, në vorbullat e një politike të polarizuar që karakterizoi jetën parlamentare të viteve kur shërbeu si deputet.
Fisniku Tomorr Dosti, sëbashku me intelektualët antikomunistë Pjetër Arbnori, Leka Tota, Uran Butka, Viktor DostiLeka Dosti, Luan Dosti (mbështetje e fuqishme në SHBA për drejtuesit e PD) , Ernest Dosti Ibrahim Vasjari, Izet Shehu, Ali Spahia, Visar Zhiti, Hysni Alimerko, Rreshat Kripa ,Viktor Dosti etj, i dhanë Partisë Demokratike të Shqipërisë frymën dhe tharmin e vërtetë të së djathtës shqiptare antikomuniste. Që në vitin 1990, në momentet e para të krijimit të saj, ata e lidhën këtë forcë politike me shtresën e ish-të përndjekurve politikë, duke e bërë atë një nga shtyllat themelore të identitetit të saj.Deputeti dhe nënkryetari Tomorr Dosti ishte përfaqësuesi tipik i kësaj shtrese, një figurë me integritet të lartë dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj kauzës së lirisë , demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Pavarësisht sfidave dhe periudhave të vështira që Partia Demokratike ka kaluar ndër vite, shtresa e ish-të përndjekurve politikë mbetet shtylla e saj kryesore, që i ka dhënë Partisë Demokratike qëndrueshmëri politike dhe orientim të qartë në krahun e vërtetë të së djathtës.
Në radhët e Partisë Demokratike, i ndjeri Tomorr Dosti u dallua për qëndrimet e drejtpërdrejta dhe për përfshirjen aktive në debatet mbi çështje të rëndësishme si funksionimi i shtetit ligjor, reforma në drejtësi, respektimi i Kushtetutës dhe raporti mes pushteteve. Ai u rreshtua qartësisht në mbrojtje të parimeve që PD i ka artikuluar tradicionalisht: ekonomia e tregut, kufizimi i rolit të shtetit në ekonomi, lufta kundër korrupsionit dhe orientimi euroatlantik i vendit.
Një element që e karakterizoi figurën e tij politike ishte prania aktive në Kuvend. Ai do të kujtohet për qëndrimet e tij kurajoze dhe plot integritet në diskutimet parlamentare dhe në artikulimin e kritikave ndaj qeverisjes së vendit. Dosti u perceptua si një nga zërat që kërkonte llogaridhënie dhe transparencë më të madhe në veprimtarinë e qeverisjes demokratike.
Në analizë përfundimtare, figura e Tomor Dostit është pjesë dinjitoze e mozaikut të politikës shqiptare të dekadave të fundit. Kontributi i tij si deputet në dy legjislatura mbetet i lidhur me një periudhë kur institucionet demokratike po formësoheshin dhe kur roli dhe kontributi i Partisë Demokratike ishte thelbësor në formimin dhe konsolidimin e elementëve të shtetit të së drejtës.
Ndihem thellësisht i nderuar për bisedat dhe momentet e çmuara që kam ndarë që prej vitit 1994 e në vijim, duke përfshirë edhe vitet e trazuar e të vështirë 1998–2000, me burrat fisnikë, vëllezërit Dosti, si dhe me mikun tonë të përbashkët, të paharruarin demokrat antikomunist vlonjat, Dino Alemi.
I paharruar fisniku Tomorr Dosti !







