Eliminimi i Vjosa Osmanit për postin e presidentes, në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe pa dyshim edhe ato gjeostrategjike, për shumicën e njohësve të realiteteve rajonale e, në veçanti, atyre globale, për mendimin tim, herëdokur do të gjykohet si i gabuar dhe i dëmshëm, sidomos për interesat afatgjata të shtetësisë së Kosovës.
Por, çfarë pasojash sociopolitike mund të ketë largimi i saj si presidente?
Së pari, largimi ose mosrizgjedhja e Osmanit, pa asnjë dyshim se në “dioptrinë” publike do të perceptohet si një shenjë e paqëndrueshmërisë së institucioneve demokratike. Sepse, kur institucionet e larta papritmas e ndryshojnë mënyrën apo qasjen ndaj elektoratit, qoftë ajo edhe për shkak të marrëveshjeve politike, besimi i qytetarëve në sistemin e përfaqësimit dhe në institucione zbehet aq shumë saqë edhe protagonistët aktualë do të mund të çuditen. Themi kështu, për shkak se në një shoqëri sikurse jemi ne, ku besimi në shtet ende është i brishtë, një konflikt për presidencën mund të fuqizojë dhe të afirmojë lehtësisht narrativat e “politikanëve të mbyllur”, “liderëve egoistë”, “deputetëve të robëruar në prangat e privilegjeve”, gjë që për pasojë ka koston e humbjes së besimit ndaj pushtetit të përkohshëm.
Së dyti, eliminimi i Osmanit nga gara për postin në fjalë mund të përforcojë edhe ndarjet apo fragmentarizimet ideologjike në shoqëri — sidomos mes atyre që Vjosa Osmanin e kanë në mbamendje dhe e perceptojnë si simbol të një politike “të re” kosovare në raport me strukturat tradicionale “yes-men”-ët e pasluftës, dhe atyre që përkrahin rivendosjen e një ekuilibri tjetër politik. Ky fenomen zakonisht ndodh kur figura të profilit të lartë dhe me një “background” të respektuar përfshihen në mosmarrëveshje të ashpra, në “rënie të ulëta” apo në “komplote” të pahetuara; ndarja dhe polarizimi i opinionit publik është pothuajse i pashmangshëm.
Së treti, nëse vërtetohet — dhe kjo pritet pa asnjë dyshim të ndodhë në prononcimet e ardhshme të presidentes — largimi i (pa)qëllimshëm i saj, në sytë e publikut do të perceptohet si një humbje rasti për një reformë apo demokraci më të drejtë, e cila do ta katapultonte Kosovën në një “road map” të nevojshëm dhe stabil për vendin.
Së katërti, Vjosa Osmani, si presidentja e dytë pas Atifete Jahjagës dhe njëra prej grave më të popullarizuara në historikun e politikës kosovare prej pasluftës e këndej, me eliminimin e saj nga gara e apostrofuar, përveç tjerash, “delegon” edhe mesazhin e mosrespektimit të identitetit gjinor, duke ndikuar kështu, ndoshta paqëllimshëm, edhe në perceptimin e rolit të grave në vendimmarrjen e lartë politike.
Dilema milionëshe që tani duhet të shtrohet është ajo e perspektivës që Osmani të rikthehet në skenë përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Të gjithë e dimë se Vjosa Osmani e ka shprehur hapur se e synon një mandat të dytë si presidente dhe se do të angazhohet në politikë edhe nëse nuk rizgjidhet këtë herë. Kjo “simptomë” signifikative për shumëkënd tregon dhe dëshmon se ajo ka ambicie dhe synime për të mbetur një figurë aktive në skenën politike kosovare. Tekefundit, këtë ia mundësojnë mosha, përvoja dhe sidomos përgatitja e saj profesionale si pedagoge, të cilën rrallëherë, nga modestia, e përmend.
Me këto kredenciale publike dhe ambicien për të qenë aktive e për t’i kontribuar demokratizimit të vendit, nëse ajo krijon një lëvizje të re ose një front të ri politik që artikulon një alternativë ndaj elitave të vjetra dhe politikës së brendshme aktuale polarizuese, jam shumë i bindur se do të mund të tërhiqte mbështetje masive nga qytetarët që ndihen të zhgënjyer me status quo-në politike, e sidomos me gjendjen krizologjike ekonomike në të cilën aktualisht gjendet Kosova.
Thënë ndryshe, një alternativë e re politike, që me siguri do të insistojë të krijojë një momentum të ri kthese dhe shumë të fuqishëm për të siguruar mbështetje të mjaftueshme parlamentare, e sidomos për ta ndryshuar Kushtetutën “ahtisariane”, e cila për të gjitha këto vite të pasluftës tashmë po vërtetohet edhe nga akterët politikë si një “këmishë” shumë e ngushtë për proceset dhe zhvillimet e dhimbshme nëpër të cilat po kalon Kosova.
Andaj, rikthimi i Vjosa Osmanit në politikë, duke krijuar këtë front të ri, duke pasur parasysh barrikadimet klanore nëpër subjektet aktuale politike, të cilat nuk kanë as “busulla” të qarta ideologjike, e madje as vizion afatgjatë për akomodim gjeopolitik të Republikës në rendin e ri që po krijohet, pa asnjë dyshim, në “sytë” e publikut të gjerë do të perceptohej, përveç si shpresë për konsolidim, edhe si një reagim shumë pozitiv. Dhe nëse një strategji e tillë, për perspektivën e vendit, arrin të konceptohet e shpjegohet si një përpjekje serioze për të forcuar demokracinë, transparencën, përgjegjësinë individuale dhe përfaqësimin e gjerë, mendoj se do të mund t’i rrisë dukshëm shanset e saj për një mbështetje masovike.
A ka sfida në këtë rrugëtim hipotetik për Vjosa Osmanin, do të pyeste një cinik i rafinuar politik? Përgjigjja e natyrshme është: po. Një ndër sfidat kryesore që unë paralajmëroj që tani është se i gjithë suksesi i kësaj narrative të munguar opozitare do të varet shumë nga qasja dhe mënyra se si ajo do të arrijë ta bashkojë elektoratin jashtë bazës së saj të tanishme, pra, të marrë vota jo vetëm nga përkrahësit e saj tradicionalë, por edhe nga qendrat e tjera të orbitës politike që i prodhoi ngërçi i kaluar, bashkë me nonshalancën, kryeneqësinë dhe sjelljet tribale të akterëve aktualë. Kjo mbetet për t’u testuar në fushën e mejdanit zgjedhor.
Duhet theksuar se largimi i Vjosa Osmanit si presidente, pa asnjë dyshim, opinionin publik, si në aspektin vertikal ashtu edhe në atë horizontal, do ta ndajë jo vetëm politikisht, por edhe sociologjikisht, duke ndikuar në besimin e tyre në institucione, në mobilizimin qytetar dhe në narrativat kolektive mbi demokracinë. Sepse, siç thuhet, “në çdo fatkeqësi (largim) ka një fatlumni (rikthim triumfal)”; riaktivizimi i saj politik përmes një liste të re nuk është i pamundur. Shanset varen ekskluzivisht nga aftësia për të krijuar një shtab ekspertësh që dinë, munden dhe dëshirojnë të sensibilizojnë një front të gjerë mbështetës, i cili do ta identifikojë atë “thembrën e Akilit” që e instaloi politika e ngërçit, inatit dhe tribalizmit mediokër në procesin e tranzicionit, ku ende do të gjendemi edhe për ca dekada, si shoqëri ashtu edhe si shtet.
Çështja tani këtu nuk ka të bëjë edhe aq me dilemën nëse Vjosa Osmani duhet apo nuk duhet të vazhdojë mandatin, por sa ka të bëjë kjo vijimësi me frustrimin që po ushtrohet nga ana e sistemit mbi figurat që nuk mund të kontrollohen lehtësisht. Së këndejmi, eliminimi i një figure të shquar dhe të dëshmuar në skenën politike, në pamje të parë, mund të prodhojë një stabilitet të përkohshëm dhe afatshkurtër institucional, por në faza afatgjata e ka çmimin e një destabilizimi më të thellë shoqëror. Dhe në politikë, siç dihet, përpjekja për të mbyllur një kapitull me fuqinë e eufemizmave dhe dredhive makiaveliste është pikërisht ai atributi që e kthen atë në kapitullin më të fuqishëm të radhës…
(Autori është profesor i sociologjisë)







