Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila është zhvilluar në orët e fundit të skadimit të afatit kushtetues.
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, në sallë kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa kanë munguar ata të opozitës dhe të partisë kryesore serbe, Lista Serbe.
“Nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën.
Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë e kam njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.







