Nga Fatmir Minguli
(Shënime mbi librin e ri “Marsi i marrë” të Bashkim Hoxhës, Ura, Prishtinë, 2026)
“Njerëzit shohin çmendurinë në gjallërinë time dhe nuk arrijnë të shohin çmendurinë në normalitetin e tyre”. Johnny Depp.
Kur përfundon së lexuari romanin e ri të Bashkim Hoxhës “Marsi i marrë” për një moment stopohesh dhe në hapësirën e disa minutave rri e mendon subjektin e këtij romani. Rikthehesh pavetëdije në gjithë faqet e librit dhe thua se Bashkim Hoxha ka sjellë një roman që nuk është i ngjashëm me romanet e tij të mëparshëm. Po kjo është e vërtetë se ky roman është ndryshe edhe nga shumë romane të letërsisë së sotme e të kaluar shqipe.
Subjekti i romanit “Marsi i marrë” në dukje është i thjeshtë ku shteti që përfaqësohet nga policia grumbullon të çmendurit e qytetit dhe i çon në një lloj izolimi në një pyll me pemë të dendura. Arsyeja: “Të çmendurit janë rrezik se mund të vrasin kryeministrin në vizitën e tij të njoftuar në qytetin ku banojnë të çmendurit.”
Janë kështu dy plane me dy lloj personazhesh: Policë dhe të çmendur. Një lloj teatri absurd ku nuk është vetëm Vladimiri dhe Estragoni i Beketit në një pritje të asgjësë, por janë dy grupe të shumfishuar të Vladimirit dhe Estragonit. Policët ruajnë të çmendurit duke mos ditur se kush mund të jetë vrasësi i kryeministrit e po kështu të çmendurit bisedojnë me njeri tjetrin pa e ditur sepse i kanë bërë bashkë ata gjashtë të çmendur dhe pse policët atyre iu duken si të çmendur.
Këtu fillon të zbërthehet teoria e vektoreve narrativë në subjektin e romanit “Marsi i marrë”, këtu fillon narracioni ndryshe ku veprimi i vektorëve është i shumë fishuar, ku të gjashtë të çmendurit përfaqësojnë vektorë, çuditërisht sensi i tyre është i njejtë pa çka se drejtimet e tyre janë të ndryshme. Në një takim me shkrimtarin Bashkim Hoxha e pyeta se ku e përqëndron si shtet këtë subjekt. Ai me një qetësi për t’u admiruar më tha se ky roman mund të gjejë veten kudo aty ku në vend të pyjeve të gjelbër lulëzojnë diktaturat. Heshtja ime ishte më se e duhur dhe unë vazhdoj të analizoj me lojën e vektorëve jo vetëm personazhet e këtij romani por dhe ngjarjet të cilat janë si vektorë shoqërues të vektorëve personazhe.
Ҫuditërisht numuri tre është domuniues në këtë roman i cili konvertohet me tre të çmendurit e parë, Dan, Gjorg, Harrabella, me tre të çmendurit e prurjes së dytë Armand, Gerond, Branko dhe me oficerë policie Mentor, Orion, Lisien që me grupin e ushtarëve përbëjë edhe ata numurin tre.
Teoria e treshit është në gjeometrinë narrative të vektorëve si një letër turnesoli që e kthen mendimin e personazheve sipas ambjentit dhe situatave. Eshtë kjo magjia e narracionit në këtë roman ku retorika e zakonshme narrative ia le vendin metodave të vektorëve që kanë për motiv “bindjen”. Të bindur në fillim janë policët që ishin koshientë në ruajtjen e të çmendurve por më të bindur janë të çmendurit që kanë teoritë e tyre ku nuk ngjis as edhe një llloj shenje për të vrarë një kryeministër, paçka se është nga qyteti i tyre.
Bindja, kjo metodë e narracionit vektorial arrin të sjellë ndryshime në mendjet e policëve të cilët sa më shumë rrinin në ruajtje të tyre aq më shumë bindeshin në kotësinë e punës së tyre dhe autori na çon magjishëm në influencën e botës së të çmendurve që depërton në mendjen e tyre. Fakti se Mentori që është dhe një lloj protagonisti nga fundi i romanit e kupton se puna e tij ishte një lloj çmendurie kur paralel në kohë i çmenduri Armand arratiset dhe hipën nëpër pemët e pyllit, ajo ishte liria e vërtetë. Dhe ja pasazhi nga libri “Marsi i marrë”:
-Kush jeni ju që paskeni në dorë licencën e lirisë sime! -bërtiti Gerondi duke hipur në makinë. -iu drejtua të tjerëve.
Janë këto paralele vektorësh që çojnë në bashkësinë përfundimtare të mesazhit të romanit “Marsi i marrë” ku rezultantja e vektorëve i bashkon edhe ato të të çmendurve edhe ato të policëve. Romani “Marsi i marrë” duke patur këtë lloj konceptimi të narracionit na jep një megametaforë mbi çdo ngjarje në subject dhe jo vetëm kaq por hapësira që i krijohet lexuesit është tejet e gjerë, kjo është vetia e subjektit me konceptin e bindjes dhe jo të retorikës së zakonshme ku lineariteti i mbyll shtegun çdo lloj hamendjeje lexuesit. Kjo vjen sepse vektorët e retorikës humbasin duke i lënë vendin vektorëve që ngjajnë me shigjeta ndriçuese të formës”bindje”.
Kjo bindje nga Bashkim Hoxha krijohet përsëri në një farë mënyre e ndërtuar mbi numurin “tre”. Narracioni në “Marsi i marrë” lëviz si formë duke pluskuar herë mbi përshkrimet lakonike të personazheve dhe ngjarjeve, herë mbi dialogjet që duket sikur nxitojnë e herë mbi poezitë dhe këngët qytetse.
Ky kombinim i përshtatet vetë subjektit që paraqitet në forma të ndryshme të ndryshimit të mendimeve te oficeri protagonist Mentor, i cili në fund ndrron mendim për jetën që ka kaluar…
Luigi Pirandelo shkruan në kohën e tij: “ Të kesh përpara një të çmendur e dini çfarë do të thotë? Të kesh përpara dikë që ju rrëzon themelet, gjithçka që keni ndërtuar brenda vetes, rreth jush, llogjikën e të gjithë ndërtimeve tuaja”.
Ҫdo veprim në librin “Marsi i marrë” ka zgjidhje psikologjike të narrativës edhe pse të çmendurit pak a shumë sjellin skena nga qyteti i tyre, një qytet ku asnjë ndoshta nuk donte të vriste kryeministrin…
Por ai erdhi dhe pa qytetin qe vizitonte ku nuk e priste njeri dhe mendoi “Vetmia e majës”. Ishte Mentori që po kuptonte gjithë thelbin e aventuarve me të çmëndurit që i degdisën…
E kotë ishte gjithçka që ata bënë me aq përkushtim. Forca e vektorëve ishte e padukshme por e realizoi objektivin e vet edhe pse në një gjeometri gati të panjohur.







