Arkitektura e mrekullive dhe çfarë njeriu ka arritur të realizojë. Gratacielat apo kullat që ngrihen lart në qiell, të shumta në mbarë botën, aq sa duket sikur sfidojnë ligjet e fizikës, gravitetit… dhe shpesh duket e çuditshme sesi njerëz mund të punojnë apo jetojnë në apartamente në lartësi aq të mëdha, me panorama të qyteteve metropolite.
Disa prej tyre janë shumë të bukura, disa me forma të konceptuara për të ngjallur habi edhe me përmasa e elemente nga më të ndryshmet, ku padyshim nuk mbeten asnjëherë pa u vënë re.
Kullat janë të ndërtuara në mbarë botën, por me një përqendrim më të lartë, ato më spektakolaret, në Orient e vendet arabe, por edhe në SHBA e Evropë.
Guangzhou Circle në Kinë është një strukturë ikonike në Canton, me një formë rrethore me një hapësirë në mes. Është ndërtesa më e lartë në botë me formë të tillë, me hapësirën boshe në mes, rrethore perfekte. Përfundoi ndërtimin në vitin 2013 dhe në të ndodhen zyrat e disa prej kompanive më të mëdha në vend.

Mahanakhon Tower në Bangkok është ndërtesë e njohur botërisht për design-in me Pixel që i jep një pamje vërtet unike, në dukje si spirale. Në të ndodhet edhe Maha Nakhon Sky Walk, një ndër platformat vrojtuese me dysheme prej xhami.

Marina Bay Sands Hotel në Singapor është një kompleks prej tre kullash që mbajnë në shpatulla një platformë në formë anijeje, me pishinë e tarracë panoramike. Kjo megastrukturë tashmë është bërë simbol i Singaporit, u inaugurua në vitin 2010 dhe vijon të jetë ikonë e arkitekturës së të ardhmes. Një ditë në një spa panoramike në çati kushton rreth 500 euro.

Alphabet Tower në Batumi të Gjeorgjisë është një kullë në çelik me helikë të dyfishtë që ngrihet në lartësi 130 m. Veçantia është tek dekorimi, me 33 shkronjat e alfabetit gjeorgjian, që është një ndër më antikët dhe të veçantët në botë, i njohur edhe nga UNESCO si trashëgimi kulturore e njerëzimit. Por jo vetëm, design-i është i frymëzuar nga struktura e ADN njerëzore, kodi gjenetik, dhe simbolizon qëndrueshmërinë e shpirtit. Kulla ka një restorant rrotullues që është pikë vrojtimi.

Crescent Tower në Katar, ose Kulla Gjysmëhënë, është në fakt emri tjetër për ato që njihen si Katara Tower, që janë krijuar sipas simbolit kombëtar vendas, duke i dhënë jetë kështu dy kullave ikonike simetrike në formë harku. Ndërtimi i tyre u përfundua në vitin 2022 dhe kanë një lartësi prej 211 m.

Aldar Headquarters në Abu Dabi është një ndërtesë mjaft e njohur pasi ka qenë e para gratacielë rrethore në botë që prej vitit 2010. Njihet me emrin The Coin, pra Monedha, ose Guancka e Abu Dabit. Është selia qendrore e Aldar Properties dhe mbahet falë një sistemi inovativ strukturor në formë rrjete diagonal prej çeliku, që ka eliminuar edhe nevojën për kolona të brendshme, duke bërë të mundur realizimin e hapësirave tejet të mëdha në dimensione të Open Space dhe me pamje panoramike të jashtëzakonshme. Sipërfaqja e jashtme është plotësisht me xham, duke arritur një sipërfaqe vetratash prej 30.500 m².

Capital Gate, sërish në Abu Dhabi, është pjesë e rekordeve Guinness si ndërtesa më e pjerrët në botë. Kulla në fakt inklinohet drejt lindjes me një kënd prej 18 gradë, gati 4 herë më shumë se Kulla e Pisës në Itali, e famshme prej shekujsh pikërisht për këtë veçanti. Për kompensimin e pjerrësisë, kulla Capital Gate është e ankoruar në tokë me një rrjetë çeliku të dendur në 490 shtylla që shkojnë nën tokë në 30 m thellësi. Ndërtesa gjigande u përfundua në vitin 2011, është e lartë 160 m dhe numëron 35 kate, e në brendësi të saj gjenden zyra dhe një hotel superluksoz.

Kingdom Center në Riad të Arabisë Saudite është një ndër kullat më emblematike të kryeqytetit, njëkohësisht simbol i panoramës moderne. Ndërtesa është e lartë 311 m dhe numëron 99 kate, ka formë të veçantë arkitekturore, karakterizuar nga një hapje e madhe në formë harku trekëndor ose të përmbysur në pjesën e sipërme. Natën, karakteristika e kornizës trekëndore ndriçohet duke ndryshuar ngjyrë me cikël të vazhdueshëm, duke dominuar skyline-in. Në vitin 2002 fitoi edhe çmimin prestigjioz Emporis Skyscraper Award si kulla me design-in më të mirë në botë.

The Sphere, Sfera e Las Vegas në Nevada të SHBA, është një tjetër spektakël arkitekturor. Nuk është një pallat, por një strukturë e konceptuar si revolucion teknologjik. Jo vetëm që është ndërtesa sferike më e madhe në botë me 112 m lartësi dhe 157 m diametër, por sipërfaqja e saj prej 54 mijë m² është plotësisht e veshur me 1.2 milion disqe LED që mund të programohen individualisht për të vizualizuar imazhe dhe animime me rezolucion të lartë në një ekran gjigand dinamik, i dukshëm dhe i dallueshëm kilometra larg.

NordDeutsche Landesbank në Hannover është ajo që depërton në qiejt e Gjermanisë, me një strukturë me skelet të çeliktë, karakterizuar nga blloqe me impakt arkitektonik të veçantë, në gjendje të krijojë një lojë efektesh tredimensionale mjaft dinamike, duke e bërë të duket një konstruksion prej Lego.








